Ahmed Satti
19 Prill 2023•Përditësim: 19 Prill 2023
Pranë aeroportit në Khartoum, kryeqyteti i Sudanit, u dëgjuan shpërthime ndërsa jehona e luftimeve dëgjohet edhe në qendër të qytetit, megjithëse palët në konflikt ranë dakord për një armëpushim 24-orësh dje, raporton Anadolu.
Ndërsa të shtëna armësh dëgjohen nga komanda e përgjithshme e ushtrisë dhe pallatit presidencial në Khartoum, tym i dendur ngrihet nga zonat e konfliktit. Banorët e qytetit po përpiqen të ikin nga qyteti.
Zëdhënësi i ushtrisë, Nebil Abdullah, tha se komuniteti ndërkombëtar kishte dalë me një propozim për armëpushim 24-orësh që ishte pranuar nga Forcat e Armatosura.
"Megjithatë, milicitë rebele nuk iu përmbajtën armëpushimit dhe vazhduan të shqetësojnë qytetarët", tha Abdullah.
Ai deklaroi se Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) po shqetësojnë qytetarët, po grabisin dhe vjedhin dhe se pamundësuan zbatimin e armëpushimit.
"Duke qenë se qytetarët tanë janë të ekspozuar ndaj dhunës, ishte e pamundur të mos ndërhynim. Ne do të vazhdojmë të garantojmë sigurinë në vend", tha Abdullah.
Ai shtoi se udhëheqësit e RSF-së nuk kanë kontroll mbi trupat e tyre. "Ata sillen si banda urbane. Ata bëjnë gjëra që rrezikojnë jetën e njerëzve", tha Abdullah.
Shefi i ushtrisë sudaneze, gjenerali Abdulfettah al-Burhan, në një deklaratë për CNN të martën tha se do të respektojë armëpushimin 24-orësh, duke filluar nga ora 18:00 me orën lokale, në përgjigje të thirrjeve nga komuniteti ndërkombëtar.
Mohammed Hamdan Dagalu, komandanti i Forcave Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë, e cila po lufton me ushtrinë në Sudan, njoftoi se kishin pranuar propozimin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për armëpushim 24-orësh.
Në mëngjesin e 15 prillit, në Khartoum dhe në qytete të ndryshme shpërthyen përleshjet e armatosura midis ushtrisë sudaneze dhe formacionit paraushtarak RSF.
Skenat kaotike të betejave me tanke, mitralozë të montuar në kamion, artileri dhe avionë luftarakë në zonat me popullsi të dendur të kryeqytetit janë të paprecedentë. Sudani ka një histori të gjatë mosmarrëveshjesh civile, por pjesa më e madhe e tyre ka ndodhur në zona të largëta fisnore, larg nga Khartoumi.
Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, njoftoi se numri i të vdekurve ishte rritur në 270.