Barış Seçkin
03 Tetor 2019•Përditësim: 04 Tetor 2019
Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, duke bërë thirrje për unitet kundër agresionit të Iranit, tha se këtë vend duhet ta privojnë nga burimet që i përdor në financimin e terrorizmit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai në kuadër të turneut të tij evropian, vizitën e parë e realizoi në Itali. Pompeo mori pjesë në një simpozium në Vatikan, ndërsa më pas u takua me homologun italian Luigi Di Maio.
Të dy ministrat në takim kanë trajtuar marrëdhëniet politiko-tregtare dhe ekonomike, si dhe luftën e brendshme në Libi dhe çështjet ndërkombëtare.
Pompeo theksoi se administrata amerikane që dy vite nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj kundrejt "Iranit që mbështet terrorizmin", duke rikujtuar se përgjegjëse për sulmin ndaj kompanisë Aramco të Arabisë Saudite e mbajnë Iranin.
"Dëshirojmë që të privojmë Iranin nga përdorimi i burimeve që i përdor çdo herë për të financuar sulmet terroriste në botë", u shpreh kryediplomati amerikan.
"Duhet të jemi në unitet kundër agresivitetit të Iranit që është një kërcënim", tha Pompeo.
Ai nuk iu përgjigj pyetjes në lidhje me përvjetorin e vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.
Ministri i jashtëm italian, Di Maio, tregoi se plani amerikan për rritjen e tarifave doganore i shqetëson edhe ato.
Pompeo, gjatë turneut të tij në Evropë përveç Italisë do të vizitojë edhe Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.