Merve Gül Aydoğan Ağlarcı
28 Shkurt 2021•Përditësim: 01 Mars 2021
Gazetari egjiptian Jamal Al-Jaml, i njohur për kritikat e tij ndaj qeverisë së vendit, u zhduk pasi u kthye në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gazetari Al-Jaml kishte mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Kajros në Egjipt nga Aeroporti i Stambollit në Turqi më 22 shkurt dhe që nga ajo kohë vendndodhja e tij mbeti e panjohur.
"Babai im ishte i lodhur dhe donte të kthehej në Egjipt. Në momentin që ai arriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Kajros, ai u zhduk në mënyrë misterioze dhe ne nuk kemi mundur të kemi kontakt me të", u shpreh në rrjetet sociale djali i gazetarit, Baha Al-Jaml.
Sipas raportimeve të mediave lokale, Al-Jaml u dënua me dy vjet burg për "fyerjen e gjyqësorit" dhe pritej të transferohej në burgun Tora pas marrjes në pyetje.
Në vitin 2014, Al-Jaml shkroi një artikull për të përditshmen egjiptiane Al-Masry Al-Youm në të cilin ai kritikoi mënyrën e qeverisjes në vend dhe më vonë presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, thuhet se e thirri "për ta paralajmëruar atë".
Gazetari u largua nga vendi në një mërgim vullnetar pas bisedës telefonike me presidentin egjiptian.
Ndërkohë, media të ndryshme egjiptiane dhe figura të opozitës kritikuan autoritetet e vendit rreth zhdukjes së gazetarit.