Burak Bir
06 Maj 2020•Përditësim: 07 Maj 2020
Egjipti konfirmoi vdekjen e regjisorit të ri 24-vjeçar dhe fotografit Shady Habash, i cili u arrestua në mars të vitit 2018 pas një video-klipi të bërë nga ai, raporton Anadolu Agency (AA).
Habash ndërroi jetë në burgun Tora në kryeqytetin Kajro të premten, sipas zyrës së kryeprokurorit publik.
Në trupin e Habashit nuk kishte plagë, kurse mjeku i burgut deklaroi se ai kishte pirë aksidentalisht alkool dhe kishte filluar të përjetonte dhimbje barku, thuhet në deklaratë.
Habash u dërgua në klinikën e burgut për shkak të humbjes së vetëdijes. Pavarësisht përpjekjeve të shumta, ai nuk iu përgjigj trajtimit dhe vdiq, shton deklarata.
Të shtunën, burimet e opozitës egjiptiane thanë se Habash vdiq në një burg në Kajro jugore për shkak të përkeqësimit të shëndetit.
Disa figura të opozitës konfirmuan vdekjen e Habashit, duke përfshirë ish-ministrin Mohammad Mahsoub, aktivisten ligjore Aya Hijazi dhe regjisorin e famshëm egjiptian Khaled Youssef.
Habash u arrestua në mars 2018, një muaj pasi këngëtari i rokut në ekzil Ramy Essam nxori këngën satirike që u bë virale, në masë e njohur si Balaha, që kritikon Presidentin Abdel Fattah el-Sisi për kandidimin e tij për mandatin e dytë.
Essam tha se Prokuroria egjiptiane e Sigurisë së Shtetit akuzoi Habashin për "përhapjen e lajmeve të rreme dhe anëtarësim në një grup terrorist".