Bota

Familjes së viktimës së luftës në Gaza i mohohet hyrja në Australi

Motra e banorit të Uellsit të Ri Jugor, së bashku me burrin e saj dhe dy djemtë, janë vrarë në Gaza

Islam Uddin  | 17.08.2024 - Përdıtësım : 17.08.2024
Familjes së viktimës së luftës në Gaza i mohohet hyrja në Australi

Ankara

Autoritetet australiane ua kanë refuzuar hyrjen fëmijëve të një viktime të luftës izraelite që u vra në Rripin e Gazës, vëllai i së cilës jeton në Australi, sipas një raportimi të mediave të premten, transmeton Anadolu.

Zuhair El Henday, i cili ka jetuar në Uellsin e Ri Jugor (NSW) për disa vite, tha se ai bëri më të mirën, por nuk arriti të sigurojë viza për familjen e tij të mbetur në Gaza.

“Unë kam dëshmuar se kam qenë një qytetar i vërtetë dhe kontribuoj për këtë vend, kontribuoj për komunitetin. Pra, pse nuk kam të drejtë ta sjell familjen time këtu për ta bërë të sigurt?”, ka thënë El Henday, raportoi SBS News.

Motra e tij, Lubna, burri i saj, dy djemtë dhe dhëndri u vranë në sulmin ajror izraelit në shtëpinë e tyre në qytetin e Gazës nëntorin e kaluar, ndërsa tri nga mbesat e El Hendayit i mbijetuan sulmit.

Rrëfimi i El Hendayit erdhi pas kërkesës së fundit të liderit të opozitës australiane Peter Dutton për të ndaluar hyrjen në Australi të palestinezëve që ikin nga Gaza.

Kërkesa ka shkaktuar reagime nga qeveria dhe organizatat e shoqërisë civile.

Kryeministri Anthony Albanese tha se lideri i opozitës ka kërkuar gjithmonë të ndajë komunitetet.

“Peter Dutton gjithmonë kërkon të përçajë. Ne do të dëgjojmë agjencitë e sigurisë kur bëhet fjalë për sigurinë kombëtare”, tha Albanese.

Nasser Mashni, president i Rrjetit të Avokimit të Palestinës në Australi, kritikoi Duttonin dhe tha se komenti i tij ishte “i turpshëm”.

Izraeli, duke shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, ka vazhduar ofensivën e tij brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit të vitit të kaluar nga grupi i rezistencës palestineze, Hamas.

Sulmet izraelite që atëherë kanë vrarë më shumë se 40.000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe kanë plagosur mbi 92.400, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Më shumë se 10 muaj pas fillimit të sulmeve izraelite, pjesë të mëdha të Gazës qëndrojnë në gërmadha, krahas një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e ka urdhëruar atë të ndalojë menjëherë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın