Buğrahan Ayhan
01 Janar 2026•Përditësim: 02 Janar 2026
Ka nisur votimi i "Fotografive të Vitit", i cili përfshin fotografi të ngjarjeve që lanë gjurmë në vitin 2025, të realizuara nga këndvështrimi i Agjencisë Anadolu.
Në garën e organizuar nën sponsorizimin e Life Box, AJet dhe ROKETSAN, do të përzgjidhen "fotografitë e vitit" nga gjithsej 112 fotografi më mbresëlënëse të shkrepura nga fotoreporterët dhe gazetarët e Anadolu-s, që pasqyrojnë zhvillime të rëndësishme dhe aktuale në Turqi dhe në botë, si luftëra, politikë, sport, mjedis dhe jetë e egër, të përdorura gjerësisht edhe nga mediat ndërkombëtare.
Në votimin tradicional "Fotografitë e Vitit", ku çdo vit marrin pjesë qindra mijëra persona, këtë vit janë shtuar edhe dy kategori të veçanta: "Gaza: Uria" dhe "Portret".
Në kategorinë "Gaza: Uria" paraqiten 15 fotografi që fokusohen në katastrofën humanitare të shkaktuar nga shndërrimi sistematik i urisë në armë në Gaza ndërsa në kategorinë "Portret" janë përfshirë 14 fotografi që tregojnë histori njerëzore duke u përqendruar te fytyrat.
Në kuadër të votimit, për kategorinë "Gaza: Uria" është përfshirë edhe një tekst i posaçëm njoftues.
- Kategori të tjera
Në kategorinë kryesore përfshihen katër nënkategori: "Lajm", "Mjedis dhe Jetë e Egër", "Sport" dhe "Jetë e Përditshme".
Në kategorinë "Lajm" janë përfshirë 20 fotografi, në "Mjedis dhe Jetë e Egër" 21, në "Sport" 21 dhe në "Jetë e Përditshme" 21 fotografi të përzgjedhura që do t'i nënshtrohen votimit.
"Fotografitë e Vitit", të cilat do të votohen në mbarë botën me përshkrime në gjuhën turke dhe angleze, u mundësojnë pjesëmarrësve të votojnë për aq fotografi sa dëshirojnë.
Votimi, i cili u organizua për herë të parë nga Anadolu në vitin 2012, çdo vit mbledh pjesëmarrjen e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ministrave, politikanëve, burokratëve, sportistëve, artistëve dhe përfaqësuesve nga të gjitha shtresat e shoqërisë.
Votimi, ku vitin e kaluar morën pjesë 1.543.367 persona, do të vijojë deri më 31 janar, ditën e shtunë, përmes faqes zyrtare të internetit "yilinkareleri.aa.com.tr".