Haydar Hadi
16 Tetor 2017•Përditësim: 16 Tetor 2017
BAGDAD (AA) - Forcat kundër terrorizmit të Irakut kanë marrë nën kontroll bazën ushtarake Kejvan në Kirkuk, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim të publikuar nga Rrjeti Mediatik i Luftës i lidhur me Ministrinë irakiane të Mbrojtjes thuhet se "Forcat kundër terrorizmit të Irakut kanë marrë nën kontroll bazën ushtarake Kejvan në Kirkuk."
Gjithashtu është bërë e ditur se forcat e sigurisë irakiane kanë marrë kontrollin e depozitave të gazit natyror në pjesën veriore të Kirkukut, stacionin e policisë dhe Zyrën e Energjisë së Kirkukut.
Ndër të tjera theksohet se forcat irakiane pasi kanë vendosur kontrollin në disa rajone të Kirkukut, kanë vazhduar të përparojnë në mënyrë të kontrolluar.
Ndërkohë zëdhënësi i Ministrisë së Peshmergeve të Qeverisë rajonale Kurde të Irakut, Helgurd Hikmet, në një deklaratë për gazetarin e AA-së është shprehur se janë dërguar përforcime nga Erbili pas tërheqjes së forcave Peshmerge në frontin e katërt, në jug të Kirkukut.
Zyrtarët thirren në punë, peshmergat tërhiqen nga jugu
Forcat irakiane të sigurisë u kanë bërë thirrje të gjithë punonjësve të sektorit publik në Kirkuk që të vijnë në punë dhe të përmbushin detyrimet e tyre, të cilat ishin ndërprerë nga frika për një shpërthim të mundëshëm të konfliktit në atë qytet.
Komanda Operative e forcave të përbashkëta irakiane ka thënë se ka kompetenca për të mbrojtur jetën dhe pasurinë e të gjithë banorëve të Kirkukut, duke përfshirë kurdët, arabët, turkmenët dhe të krishterët, për të shtuar se forcat irakiane gjithashtu do të kujdesen edhë për sigurinë e nëpunësve civilë.
"Unë u bëj thirrje të gjithë zyrtarëve publikë, veçanërisht policisë, që urgjentisht të shkojnë në vendet e punës dhe të vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre", thuhet në mesazhin e komandës.
Kirkuku është qytet me një status të pazgjidhur administrativ që nga invazioni amerikan i Irakut, ndërsa është shndërruar në një vatër krize pasi Administrata Rajonale Kurde (ARK) në veri të Irakut më 25 shtator zbatoi një referendum joligjor për shkëputje nga Iraku.
Që atëherë, vazhdojnë tensionet në mes të forcave pro-irakiane Hashd Shaabi dhe forcave kurde peshmerge, ndërkohë që me një marrëveshje të arritur, mbrëmë peshmergat u tërhoqën nga fronti jugor në Kirkuk.
Një nga zëvendëskomandantët e pershmergave, Kemal Kirkuk, konfirmoi informacionin se forcat kurde po tërhiqen nga fronti jugor në brendësi të Kirkukut. Edhe pas dy ditësh, ARK-ja nuk i dha kontroll qeverisë së Irakut mbi aeroportin, objektet e naftës dhe bazat ushtarake në Kirkuk.
Këshilli i Sigurimit Kombëtar irakian mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme mbrëmë në Bagdad, pas çka njoftoi se ARK-ja është duke sjellur në Kirkuk terroristët e PKK-së dhe se kjo nënkupton shpalljen e luftës në atë qytet.