Furkan Naci Top
27 Maj 2019•Përditësim: 28 Maj 2019
Kryeministri i Greqisë Aleksis Tsipras njoftoi se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare pasi partia e tij humbi me një diferencë të konsiderueshme nga partia opozitare kryesore në zgjedhjet e Parlamentit Evropian (PE), transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke vlerësuar zgjedhjet e PE-së dhe ato lokale në selinë e partisë së tij SYRIZA, Tsipras tha se rezultatet e zgjedhjeve kanë mbetur mbrapa pritjeve të tyre.
"Shpërfillja e rezultateve nuk është një sjellje që më ngjan mua", deklaroi Tsipras.
"Pas rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale, do të kërkoj nga presidenti të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare", shtoi kryeministri grek.
Zgjedhjet, që në sipas kalendarit normal do të mbaheshin në tetor, pritet të realizohen në muajin qershor.
Ndryshe, sipas rezultateve jozyrtare, partia opozitare greke Demokracia e Re (ND) ka rezultuar si partia e parë në zgjedhjet e PE-së me 32,8 për qind të votave, kurse SYRIZA ka marrë 24 për qind.
Sipas këtyre rezultateve, ND pritet të fitojë shtatë ulëse në PE, kurse SYRIZA gjashtë.
Nga ana tjetër, Lëvizja e Ndryshimit (KINAL) e qendrës së majtë, Partia Komuniste Greke dhe Agimi i Artë i ekstremit të djathtë pritet të përfaqësohen me nga dy deputetë secila, kurse partia pro-ruse Zgjidhja Greke dhe partia MeRa 25 e kryesuar nga ish-ministri i Financave Yannis Varoufakis do të zënë nga një ulëse.
Menjëherë pas fillimit të shpalljes së rezultateve, lideri i ND-së Kyriakos Mitsotakis deklaroi se qeveria ka humbur zgjedhjet dhe bëri thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.