Nuri Aydın
20 Nëntor 2019•Përditësim: 21 Nëntor 2019
Sot ka rifilluar procesi arsimor në shkollat fillore dhe të mesme në Hong Kong, i cili u pezullua për shkak të dhunës në qytet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mediat lokale raportojnë se rreth 1.100 persona janë arrestuar nga policia që nga e diela kur filluan trazirat në kompleksin e Universitetit Politeknik të Hong Kongut dhe qindra të tjerë u plagosën.
Rreth 100 protestues u burgosën në kompleksin e Universitetit. Rrethimi i policisë në kampusin universitar vazhdon ende.
Protestuesit mbyllën disa rrugë në Hong Kong ndërsa pati edhe ndërprerje në transportin publik urban
Udhëheqësja ekzekutive e rajonit të veçantë administrativ të Hong Kongut, Carrie Lam ka thënë më parë se rreth 600 persona janë larguar nga kampusi, përfshirë 200 të mitur.
Protestat filluan në qershor, kundër planit për ekstradim në Kinë, i cili tani është hequr, por që nga atëherë protestat janë shndërruar në një lëvizje që kërkojnë zgjedhje të drejtpërdrejta për udhëheqësit e Hong Kongut, siç i është premtuar qytetit kur Britania e Madhe ia ktheu Kinës në vitin 1997.