Selen Temizer
16 nëntor 2021•Përditësim: 16 nëntor 2021
Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka vendosur se ligjet e Hungarisë që njohin mundësinë për refuzimin e aplikimeve për azil të personave të ardhur nga vendet e treta që konsiderohen "të sigurta" dhe që parashikojnë sanksione penalizuese ndaj atyre që ofrojnë ndihmë për ata që aplikojnë për azil, shkelin ligjin e BE-së, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Gjykata më e lartë e BE-së thuhet se Hungaria nuk zbaton përgjegjësitë e saj në kuadër të ligjit të BE-së duke bërë të papranueshme aplikimet për azil të emigrantëve me arsyen se ata "vijnë nga një vend i tretë i sigurt".
Gjykata ka përcaktuar se në kundërshtim me ligjet e BE-së është edhe konsiderimi si krim nga Hungaria i aktiviteteve të caktuara për të bërë aplikim për azil ose për të siguruar ndihmë në këtë çështje në territorin e saj.
Komisioni Evropian më 12 nëntor iu drejtua sërish gjykatës pasi Hungaria nuk kishte zbatuar vendimin e marrë më 17 dhjetor 2020 nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë.
Hungaria e cila njihet me qëndrimin e saj kundër refugjatëve, ka vendosur tela me gjemba në kufijtë e saj me Serbinë dhe Kroacinë si dhe ka rritur penalizimet e zbatuara për kalimet e paligjshme.
Gjithashtu Hungaria ka bërë të detyrueshme që refugjatët, përfshirë edhe fëmijët të mbahen gjatë periudhës së aplikimit të azilit në kampet e formuara në kufi. Vendi ka deklaruar se edhe refugjatët që kapen në vend do të nxirren jashtë Hungarisë nga kufiri i rrethuar me tela.
Sipas rregullave të vendosura në vitin 2018, parashikohet dënim me burg për personat që ofrojnë ndihmë ndaj refugjatëve për të marrë të drejtën e azilit.
Gjykata Evropiane e Drejtësisë më 17 dhjetor 2020 vendosi se këto praktika të Hungarisë shkelin ligjin e BE-së.