Nicky Aulia Widadio
15 Tetor 2020•Përditësim: 16 Tetor 2020
Të paktën 136 mjekë në Indonezi kanë humbur jetën nga koronavirusi i ri (COVID-19) që kur shpërtheu pandemia në muajin mars, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ari Kusuma Januarto, një zyrtar nga Shoqata Indoneziane e Mjekëve, në një njoftim me shkrim tha se 73 ishin mjekë të përgjithshëm, ndërsa 63 ishin specialistë. Ai tha se vetëm gjatë këtij muaji kanë vdekur nëntë mjekë.
Më shumë viktima u regjistruan në provincën Java Lindore, ku humbën jetën 32 mjekë, e ndjekur nga kryeqyteti Xhakarta me 19 dhe provinca Sumatra Veriore me dy mjekë të vdekur.
"Qindra pjesëtarë nga personeli mjekësor kanë vdekur gjatë shërbimit të tyre pasi u infektuan me COVID-19. Kjo sot është një krizë në shërbimet shëndetësore", tha Januarto, duke shtuar se çdo punonjës shëndetësor ka të drejtën e sigurisë në vendin e punës.
Ai kërkoi bashkëpunim më të madh midis qeverisë dhe publikut për të ulur shkallën e infeksionit.
"Kjo situatë nuk do të zgjidhet kurrë nëse nuk ka bashkëpunim nga njerëzit si pararojë", shtoi Januarto.
Shoqata u bëri thirrje njerëzve të respektojnë protokollet shëndetësore për të reduktuar rrezikun e infektimit dhe për të lehtësuar barrën e punonjësve të shëndetësisë në spitale.
Përveç mjekësve, shumë infermierë dhe dentistë po ashtu kanë vdekur nga koronavirusi.
Në fund të muajit shtator, Shoqata Kombëtare e Infermierëve të Indonezisë njoftoi se 92 infermierë kishin vdekur, ndërsa Shoqata e Dentistëve të Indonezisë konfirmoi nëntë vdekje midis stomatologëve që kur shpërtheu pandemia në muajin mars.
Indonezia së fundmi raportoi 4.411 raste të reja të koronavirusit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në 349.160, përfshirë 12.156 vdekje dhe 273.661 të shëruar.