Muhammet Kurşun
10 Qershor 2020•Përditësim: 10 Qershor 2020
Me 81 vdekjet e reja të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit me koronavirusin e ri (COVID-19) në Iran, rritet në 8.506 numri i vdekjeve në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë së Iranit, Sima Sadat Lari, njoftoi se në 24 orët e fundit në të gjithë vendin janë shënuar 81 vdekje dhe 2.011 raste të reja me COVID-19.
Me këtë ka arritur në 8.506 numri gjithsej i vdekjeve dhe në 177.938 numri i rasteve me COVID-19 në vend. Lari tha se numri i të shëruarve që janë liruar nga spitalet deri më tani ka arritur në 140.590 dhe se numri gjithsej i testeve të kryera në vend ka arritur në 1.151.032.
Ajo theksoi se rajoni Khuzestan në jug të vendit vazhdon të mbetet "zonë e kuqe", ndërsa 6 rajone në vend janë "rajone me rrezik".
Numri i rasteve ditore me COVID-19 në Iran shënoi ulje deri në 800 në fillim të muajit maj, por shifrat filluan sërish të rriten pas heqjes së kufizimeve.
Koronavirusi i ri për herë të parë në Iran u shfaq më 19 shkurt në qytetin Qom.