Mahmoud Mohamed Barakat
20 Korrik 2020•Përditësim: 21 Korrik 2020
Irani ka ekzekutuar një person të akuzuar për spiunimin dhe gjetjen e gjeneralit Qasem Soleimani, i cili u vra në një sulm amerikan në Irak, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjyqësori iranian tha se Mahmoud Mousavi Majd u ekzekutua pasi u akuzua për spiunazh për shërbimet e intelegjencës izraelite dhe asaj amerikane, Mossad dhe CIA, si dhe për informimin e tyre për vendndodhjen e gjeneralit Soleimani, kreut të Gardës Revolucionare Iraniane Kuds.
Më 9 qershor, Majd u akuzua për dhënien e informacioneve të intelegjencës te CIA dhe Mossad mbi forcat e armatosura iraniane në këmbim të parave.
Më 3 janar, Soleimani u vra në një sulm me dron amerikan pranë aeroportit të Bagdadit. Nënkryetari i Forcave të Mobilizimit Popullor (Hashad al-Shaabi), Abu Mahdi al-Mohandis, po ashtu u vra në sulmin ajror.
SHBA në vazhdimësi ka deklaruar se Soleimani ishte përgjegjës për sulmet që shënjestronin ushtarët amerikanë në Irak dhe në zona të tjera.