Sidrah Gufran Roghay
20 Korrik 2020•Përditësim: 21 Korrik 2020
Ambasadori i Kinës në Britaninë e Madhe, Liu Xiaoming, ka mohuar abuzimin e përhapur të komunitetit Ujgur pasi një video e postuar në mediat sociale ngriti akuza për gjenocid, raporton Anadolu Agency (AA).
Dje në një intervistë për BBC, ambasadori Xiaoming u konfrontua me pamjet me dronë të të burgosurve në rajonin autonom Xinjiang në Kinën veriperëndimore, vendbanim i minoritetit Ujgur, të cilët ishin të prangosur në zinxhirë dhe detyroheshin të hynin në trena, gjë që dukej si një transferim i të burgosurve.
Të arrestuarit kishin kokën plotësisht të rruar dhe ishin të ulur në rreshta, të veshur me uniformë blu dhe të verdhë, përpara se të merreshin nga policia.
"Nuk e di se ku i keni marrë këtë video-pamje", tha Xiaoming për BBC, duke shtuar se, "Ndonjëherë keni transferim të të burgosurve në çdo vend".
"Populli Ujgur gëzon bashkëjetesë paqësore, harmonike me grupet e tjera etnike të popujve", tha Xiaoming.
"Ne e trajtojmë çdo grup etnik si të barabartë", shtoi ai.
Grupet e të drejtave të njeriut dhe qeveritë perëndimore kanë qenë të zëshme për të dënuar abuzimet e përhapura të Kinës ndaj Uigurve.
Dënimet janë përqendruar në ato që Kina i quan kampe riedukimi, si dhe në pretendimet për sterilizim të detyruar masiv dhe sistematik.
"Nuk ka, të ashtuquajtur sterilizim, të përhapur, masiv, të detyruar në mesin e grave Ujgure në Kinë", tha ai.
Me indinjatë, Xiaoming më pas tha se, “Unë nuk mund të përjashtoj raste të veçanta. Për çdo vend, ka raste të veçanta".
Ai për akuzimet fajësoi "një grup të vogël elementësh anti-Kinë".
- 'Përndjekje e qëllimshme'
Duke folur po ashtu për BBC, Sekretarja e Jashtme e Laburistëve, Lisa Nandy, ngriti mundësinë e një gjenocidi.
"Sigurisht se duket ashtu", tha ajo.
Nandy tha se ajo që po bën Kina është "përndjekje dhe vrasje e qëllimshme e një grupi të madh njerëzish në bazë të etnisë së tyre të kombësisë".
Ajo i bëri thirrje Britanisë së Madhe të vendosë sanksione të njëanshme, siç ka bërë SHBA.
Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, ishte pak më i rezervuar, duke thënës se, "Me gjenocid, është përkufizim kaq specifik që duhet të jesh shumë i kujdesshëm. Por fakt është se, pavarësisht nga etiketa ligjore, ekzistojnë abuzime të mëdha, të egra mbi të drejtat të njeriut. Kjo është arsyeja pse në OKB e ngritëm këtë me 27 partnerë, për të thirrur qeverinë e Kinës për abuzimet e të drejtave të njeriut mbi Ujgurët, po ashtu edhe në Hong Kong".
“Raportet mbi aspektin njerëzor, nga sterilizimi i detyruar në kampet e riedukimit, janë kujtesë e diçkaje që nuk e kemi parë për një kohë të gjatë. Dhe kjo është nga një anëtar kryesor i bashkësisë ndërkombëtare, i cili dëshiron të merret seriozisht dhe me të cilin ne duam marrëdhënie pozitive“, tha ai.
Pandemia e koronavirusit, roli i Huawei në rrjetin 5G në Britaninë e Madhe, imponimi i ligjit kontravers të sigurisë në Hong Kong nga Kina dhe tani trajtimi mbi minoritetin Ujgur, në muajt e fundit i kanë tensionuar marrëdhëniet Britani-Kinë.