Muhammet Kurşun
22 Dhjetor 2018•Përditësim: 23 Dhjetor 2018
TEHERAN (AA) - Prania ushtarake e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Siri që nga fillimi ishte një hap i gabuar dhe është konsideruar si një element kryesor i jostabilitetit dhe pasigurisë, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Behram Kasimi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kasimi në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme iraniane ka komentuar vendimin e SHBA-së për të tërhequr ushtrinë e saj nga Siria.
Ai konsideron se prania e ushtrisë amerikane në Siri që nga fillimi ishte "e gabuar, e palogjikshme dhe shkaktonte kriza dhe tensione".
"Ushtarët amerikanë konsiderohen të jenë elementi kryesor i situatës së paqëndrueshme dhe pasigurisë në rajon", ka thënë Kasimi.
Ai tha se nëse merren parasysh zhvillimet në rajon në 10 vitet e fundit, elementet e huaja "me pretekste të ndryshme" në këtë rajon të rëndësishëm dhe të ndieshëm nuk kanë dhënë kurrfarë rezultati përveç se kanë thelluar tensionet, mosbesimin dhe keqkuptimet.
Mediat amerikane njoftuan të mërkurën se SHBA planifikon tërheqjen e tërësishme të forcave të saj të armatosura nga Siria veriore.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump më pas deklaroi se kanë mposhtur organizatën terroriste DEASH, e cila ishte arsyeja e vetme pse amerikanët ishin në Siri.
"Ne e mposhtëm DEASH-in në Siri, arsyeja e vetme që ne ishim atje gjatë mandatit tim", ka shkruar Trump në rrjetin social Twitter.