Mohammad Sio
17 qershor 2026•Përditësim: 17 qershor 2026
Agjencia zyrtare iraniane e lajmeve IRNA publikoi tekstin e plotë të memorandumit të mirëkuptimit me 14 pika midis Iranit dhe SHBA-së, transmeton Anadolu.
Dokumenti përcakton një kornizë për përfundimin e armiqësive, nisjen e negociatave drejt një marrëveshjeje përfundimtare dhe trajtimin e çështjeve që variojnë nga sanksionet dhe siguria detare deri te programi bërthamor i Iranit dhe rindërtimi.
Pikat kryesore të draftit:
- Ndërprerje e menjëhershme dhe e përhershme e operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, me angazhime për të mos përdorur forcë dhe për të garantuar sovranitetin e Libanit.
- Respekt i ndërsjellë për sovranitetin dhe integritetin territorial dhe mosndërhyrje në punët e brendshme të njëri-tjetrit.
- Negociata për një marrëveshje përfundimtare brenda 60 ditësh, me mundësi zgjatjeje me pëlqim të ndërsjellë.
- Heqja e bllokadës detare të SHBA-së dhe kufizimeve përkatëse, me përfundim të plotë brenda 30 ditësh dhe tërheqje eventuale të forcave amerikane nga zonat pranë Iranit pas një marrëveshjeje përfundimtare.
- Rikthimi i lundrimit tregtar në Ngushticën e Hormuzit, me Iranin që konsultohet me Omanin dhe shtetet e tjera bregdetare të Gjirit për administrimin e saj në të ardhmen.
- Krijimi i një programi rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë për Iranin, me mbështetjen e SHBA-së dhe partnerëve rajonalë.
- Angazhim i SHBA-së për të hequr të gjitha sanksionet ndaj Iranit, përfshirë ato të OKB-së, të lidhura me IAEA-në dhe sanksionet primare e sekondare, sipas një afati të dakorduar.
- Konfirmim nga Irani se nuk do të prodhojë dhe as do të përfitojë armë bërthamore, si dhe negociata për materialin e pasuruar dhe aktivitetet bërthamore civile.
- Ruajtje e status quo-së gjatë negociatave, ku Irani mban programin aktual bërthamor dhe SHBA-ja nuk vendos sanksione të reja apo dislokime ushtarake shtesë.
- Leje të menjëhershme nga SHBA-ja për eksportet e naftës dhe produkteve petrokimike iraniane, përfshirë shërbimet bankare, të sigurimit dhe transportit.
- Lirimi dhe përdorimi i plotë i fondeve dhe aseteve të ngrira iraniane, me procedura që do të përcaktohen gjatë negociatave.
- Krijimi i një mekanizmi të përbashkët zbatimi për të monitoruar përmbushjen e memorandumit dhe marrëveshjes përfundimtare.
- Nisja e negociatave për marrëveshjen përfundimtare sapo të fillojë zbatimi i pikave kyç, përfshirë armëpushimin, masat detare, lejet e naftës dhe qasjen në asetet e ngrira.
- Miratimi i marrëveshjes përfundimtare përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Më herët të mërkurën, zyrtarë amerikanë publikuan draftin e memorandumit me Iranin për t’i dhënë fund konfliktit mes tyre. Ceremonia e nënshkrimit është planifikuar për të premten në Zvicër.