Şenhan Bolelli
20 Nëntor 2025•Përditësim: 20 Nëntor 2025
Ekspozita e katërt e konkursit Istanbul Photo Awards 2025, e organizuar nga Anadolu, është hapur në Madrid të Spanjës.
Shfaqja e mbajtur në Fondacionin Pons paraqet më shumë se 90 fotografi që u përfshinë në konkursin ndërkombëtar.
Presidenti dhe shefi ekzekutiv i agjencisë Anadolu, Serdar Karagoz, presidenti i agjencisë EFE, Miguel Angel Oliver dhe ambasadorja turke në Madrid, Nuket Kucukel Ezberci, morën pjesë në hapje, së bashku me shumë të ftuar nga qarqet diplomatike, media, artet dhe biznesi.
Karagoz në fjalën e tij tha se fotografitë që kapin jetën, padrejtësinë dhe gjenocidin mund të jenë të vështira për t’u parë, por “kurrë nuk duhet t’i shmangim nga shikimi”.
“Këto janë fotografi dinjiteti dhe të së vërtetës, imazhe që na kujtojnë atë që na bën njerëz”, tha ai.
Karagoz theksoi se fotografitë i përballin shikuesit me realitetin.
“Kur shohim foton e një nëne në Gaza që mban fëmijën e saj të pajetë, nuk po shohim politikën, po shohim të vërtetën. një të vërtetë të padurueshme, të pamohueshme, thellësisht njerëzore”, tha Karagoz.
“Një fotografi mund të jetë shpresë, mund të jetë shtypje, mund të na bëjë të buzëqeshim apo të qajmë. Por mbi të gjitha, siç e kemi parë sërish në Gaza, ajo mund të jetë dëshmi e jetës, padrejtësisë dhe gjenocidit”, shtoi ai.
Sipas tij, edicioni i 11-të i Istanbul Photo Awards vazhdon të zgjerohet çdo vit. Konkursi pranoi 22 mijë pjesëmarrje nga e gjithë bota, me fotoreporterë që kapën gjendjen njerëzore “me një qartësi të jashtëzakonshme”.
Ndërkaq, Oliver nga agjencia EFE i falënderoi fotografët “që na kujtojnë, me imazhet e tyre, se çfarë ndodh kur bota vendos të kthejë kokën nga ana tjetër”, si dhe falënderoi agjencinë Anadolu për sjelljen e ekspozitës në Madrid.
Ambasadorja Ezberci, nga ana e saj, tha se hapja e ekspozitës në Spanjë mbart “rëndësi të veçantë”. Ajo theksoi se Turqia dhe Spanja kanë punuar që nga fillimi në kërkim të stabilitetit, sigurisë dhe paqes në Gaza.
“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona të vendosura drejt një paqeje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse bazuar në një zgjidhje me dy shtete. Ndjenjat e forta pro-palestineze në shoqëritë spanjolle dhe turke e bëjnë këtë ekspozitë edhe më kuptimplote”, tha ajo.
Ekspozita përfshin imazhe mbi çështjet sociale, sportin, mjedisin dhe jetën e përditshme. Ajo do të jetë e hapur deri në fund të muajit.
Istanbul Photo Awards 2025 u hap në Madrid pas ndalesave të mëparshme në Ankara, Stamboll dhe New York.