Mohammad Farid Mahmoud Abdullah,Safiye Karabacak
18 Tetor 2023•Përditësim: 18 Tetor 2023
Izraeli ka nisur bisedimet me SpaceX, kompaninë në pronësi të miliarderit amerikan Elon Musk, për përdorimin e sistemit të internetit satelitor Starlink, raporton Anadolu.
Ministria e Telekomunikacionit e Izraelit ka konfirmuar se janë në bisedime me SpaceX për të mundësuar përdorimin e sistemit Starlink.
Po ashtu bëhet e ditur se negociatat janë në vazhdim dhe se ky hap do të mundësojë internet të pandërprerë në qytete dhe zona lufte pranë kufirit me Gazën.
Në deklaratë thuhet se Izraeli do të përdorë Starlink për herë të parë, i cili do të shërbejë si rezervë në rast të dështimit të sistemeve tjera.
Sipas "Bloomberg", SpaceX ende nuk e ka pranuar kërkesën e Izraelit.
Space Exploration Technologies Corp., i njohur ndryshe si SpaceX, është kompani private amerikane e prodhimit dhe transportit të anijeve kozmike me seli në Hawthorne, Kaliforni. Kompania u themelua në vitin 2002 nga Elon Musk me synimin për të ulur koston e fluturimeve në hapësirë.
Starlink është sistem interneti satelitor që operohet nga SpaceX që ofron mbulim në më shumë se 60 vende. Gjithashtu kompania synon shërbimin global të telefonisë celulare pas vitit 2023.