Kafeja Harar në Etiopi, shija shekullore e vendlindjes së kafesë
Kafja që kultivohet në qytetin Harar të vendit të Afrikës Lindore, Etiopi, piqet ngadalë në pemë për shkak të kushteve të thata dhe me pak reshje të rajonit, si dhe terrenit me lartësi mbidetare
İrem Demir
20 qershor 2026•Përditësim: 20 qershor 2026
photo: Fatma Nur Arslan / AA
Harar
Kafeja "Harar", e njohur në mbarë botën dhe që kultivohet në Etiopi, vendlindjen e kafesë, zë një vend në qendër të trashëgimisë kulturore me aromën e saj të fortë, shijen karakteristike dhe traditat e pandryshuara të konsumimit prej shekujsh.
Kafja që kultivohet në qytetin Harar të vendit të Afrikës Lindore, Etiopi, piqet ngadalë në pemë për shkak të kushteve të thata dhe me pak reshje të rajonit, si dhe terrenit me lartësi mbidetare.
Ky proces i ngadaltë rritjeje i mundëson bimës të thithë të gjitha mineralet nga toka në mënyrë më intensive dhe rrit përqindjen e sheqerit natyral të frutit.
E kultivuar pa përdorimin e barnave industriale dhe plehrave artificialë, me metoda natyrore dhe tradicionale, kafeja mblidhet nga fermerët vendas gjatë sezonit të korrjes. Frutat e mbledhura më pas lihen të thahen në diell.
Kafetë e thata ndahen sipas madhësisë së kokrrave dhe cilësisë, duke u ofruar si për konsum në tregun lokal, ashtu edhe për eksport në bizneset e specializuara të kafesë jashtë vendit.
E njohur për shijen e saj të qëndrueshme dhe lehtësinë e konsumimit, kafeja Harar mund të përdoret në përgatitje "espresso" dhe filter, si dhe të bluhet në formë pluhuri për përdorim në xhezve dhe përgatitje sipas metodës tradicionale të kafesë turke.
Kjo kokërr e veçantë, e konsumuar gjerësisht në tregun global, në rajonin ku prodhohet përgatitet me teknika shumë të ndryshme tradicionale dhe bëhet pjesë e jetës së përditshme.
"Në Harar e konsumojmë kafenë në 4 mënyra"
Sozit Meftuh, banore e Hararit, në deklaratë për Anadolu tha se në rajon kafenë e përdorin në 4 mënyra të ndryshme.
Ajo tha se fillimisht e pjekin kokrrën e kafesë dhe më pas e përgatisin për ta pirë, ndërsa mënyra e dytë është përdorimi i lëvores së saj.
"Lëvorja është bosh. Marrim kokrrat e kafesë që nuk janë formuar plotësisht dhe i përdorim në dy mënyra të ndryshme. Përdoret në momente të lumtura, në dasma dhe në momente të trishta, në periudha zie", tha ajo.
Ajo shtoi se kafenë e përgatisin edhe si ushqim duke e kombinuar me gjalpë dhe sheqer. "Në të tretën, lëvoret e kafesë përdoren në çaj me qumësht. Në të katërtën përdoren edhe gjethet e saj. Gjethet përdoren në ditë të mëdha, në festa, zakonisht gjatë lutjeve. I ziejmë gjethet dhe i përgatisim si çaj. Këto janë 4 mënyrat si e konsumojmë kafenë në Harar", tha Meftuh.