Ekip
07 Nëntor 2018•Përditësim: 07 Nëntor 2018
YAOUNDE (AA) - Në Kamerun 79 fëmijët e rrëmbyer të një shkolle nga persona të armatosur të paidentifikuar janë liruar, por dy nga tre anëtarët e personelit të rrëmbyer ende mbahen, tha përfaqësuesi i një kishe të vendit, Fonki Samuel Forba, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ata u sollën mbrëmë në një nga kishat tona ... pranë Bamenda (kryeqyteti rajonal). Ata duken të lodhur dhe të torturuar psikologjikisht", tha ai. Nxënësit janë midis 11 dhe 17 vjeç.
Ai u bëri thirrje rrëmbyesve “që të lirojë personelin të cilin ende e mbajnë”.
Udhëheqësi i kishës tha se u ka kërkuar prindërve dhe kujdestarëve që të merrnin në shtëpi të gjithë fëmijët e tyre.
"Është për të ardhur keq që ne duhet ta mbyllim shkollën dhe të dërgojmë në shtëpi 700 fëmijë. Siguria e tyre nuk është e garantuar nga shteti dhe grupet e armatosura vazhdimisht sulmojnë dhe i rrëmbejnë", tha Fonki Samuel Forba.
Sipas tij, shkolla më parë pati disa nxënës të rrëmbyer dhe çështja u zgjidh kur kisha pagoi shpërblesë prej 2.5 milionë franga (rreth 4.000 dollarë) për bandën e armatosur. "Nuk mund të vazhdojmë më," tha ai.
Zonat veriperëndimore dhe jugperëndimore të Kamerunit janë të shqetësuara nga paqëndrueshmëria e shkaktuar nga separatistët anglisht-folës.