Lokman İlhan
27 Tetor 2019•Përditësim: 28 Tetor 2019
Një helikopter i Forcave Ajrore të Kolumbisë me gjashtë ushtarë në bord është zhdukur nga radari, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një njoftimi të forcave ajrore, helikopteri i tipit Bell 412 i përdorur nga presidenca e vendit është zhdukur në rajonin administrativ Cundinamarca në pjesën qendrore të Kolumbisë.
Ekipet e kërkimit kanë filluar aktivitetet për gjetjen e helikopterit në majen Monasterio pranë qytetit Alban, ku mjeti ajror është parë për herë të fundit, thuhet në njoftim.
Familjet e gjashtë ushtarëve, dy pilotë dhe katër teknikë, janë informuar në lidhje me rastin.
Sipas mediave lokale, helikopteri ishte dedikuar për përdorim gjatë vizitës së Papa Françeskut në Kolumbi në vitin 2017.
Mediat po ashtu raportuan se me të njëjtin helikopter më herët ka udhëtuar edhe opozitari venezuelas Juan Guaido, i vetëshpallur si president i përkohshëm, i cili në fillim të këtij viti ka hyrë ilegalisht në Kolumbi.