Burak Bir
13 Prill 2023•Përditësim: 13 Prill 2023
Ministri i Punëve të Jashtme i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, tha se Evropa nuk ka nevojë për ndihmën e Kinës për t'u mbrojtur, duke kritikuar politikën e jashtme evropiane, transmeton Anadolu.
“Në vend që të kërkojmë ndihmë, ne duhet të projektojmë pikat tona të forta, duke i treguar botës se Ukraina, Evropa dhe SHBA-ja janë të gatshme dhe në gjendje të sigurojnë kontinentin evropian”, shkroi Gabrielius Landsbergis në Twitter.
"Ky është sinjali i vetëm që duhet të dërgojmë", tha ai, duke shtuar se "verbëria gjeopolitike" e Evropës nuk është shëruar ende.
“Për vite me radhë, Perëndimi tha se bashkëpunimi ekonomik do t'i bindte diktatorët të mbështesin rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Por gjithçka që bëmë ishte të ushqenim ekonomitë e tyre duke ua lejuar atyre të thyejnë të gjitha rregullat. Kina po vë bast se do ta përsërisim këtë gabim. Është koha për të provuar diçka tjetër”, tha ai, duke shtuar:
“Kemi blerë energji, kemi transferuar teknologji, kemi investuar në regjime totalitare. Ne u kemi mundësuar të rriten. Jo për përfitimet praktike, por për shkak të iluzionit mesianik se përhapja e ndikimit perëndimor është e pashmangshme dhe mund të sjellë ndryshim vetëm për të mirë”.
Duke pretenduar se "ngatërresa" e Perëndimit e bëri atë "të verbër strategjikisht", Landsbergis tha se u injoruan kërcënimet e bëra jo vetëm ndaj vendeve në kufi me Rusinë, por edhe ndaj vetë shoqërisë perëndimore.
Krahas një politike të jashtme të dobët, kryediplomati i Lituanisë tha se vendet perëndimore gjithashtu u dobësuan nga brenda dhe “korrupsioni, radikalizimi i armatosur dhe ndërhyrja në zgjedhje u bënë normë”.
"Ne i kërkuam Rusisë të mos pushtonte Ukrainën. Ne i kërkuam Rusisë të mos pushtonte Gjeorgjinë. Ne bëmë telefonata. Rezultati ishte një fatkeqësi tragjikisht e parashikueshme. Strategjia jonë dështoi qartë me Putinin", tha Landsbergis.
Ai tha se tani kërkimi i ndihmës nga Kina për të siguruar paqen në Evropë "do të ishte një gabim më i madh se Rrjedha Veriore", duke iu referuar tubacioneve të gazit të Rrjedhës Veriore të ndërtuara nga Rusia në shtratin e Detit Baltik, të cilat u shkatërruan nga shpërthimet e vitit të kaluar.
"Nuk ka asnjë zëvendësim për unitetin transatlantik, kështu që ne duhet ta mbrojmë atë, jo ta çmontojmë atë", shtoi ai.
Në muajin shkurt, Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës lëshoi një deklaratë prej 12 pikash që rendit pozicionin e Pekinit për një zgjidhje politike të luftës në Ukrainë. Kina bëri thirrje për respektimin e sovranitetit të të gjitha vendeve, ndërprerjen e armiqësive, rifillimin e bisedimeve të paqes dhe zgjidhjen e krizës humanitare në rajon.
Sipas planit, dialogu dhe negociatat janë "zgjidhja e vetme e mundshme për krizën në Ukrainë".