Barry Ellsworth
13 Prill 2023•Përditësim: 14 Prill 2023
Më shumë se 300 afganë mbërritën në Aeroportin Ndërkombëtar Pearson të Torontos, duke e afruar Kanadanë më pranë qëllimit të saj për të pranuar 40 mijë refugjatë nga Afganistani i udhëhequr nga talebanët, raporton Anadolu.
Afganët të cilët mbërritën nga Pakistani, ishin ata që ndihmuan Kanadanë në misionin e saj në Afganistan, duke përfshirë familjet e ish-përkthyesve dhe refugjatët që ishin sponsorizuar privatisht.
Në total, 30.280 refugjatë afganë kanë mbërritur në Kanada që nga viti 2021, bëri të ditur qeveria kanadeze në një deklaratë për shtyp.
"Qeveria e Kanadasë po punon shumë për të rivendosur të paktën 40 mijë refugjatë afganë në Kanada sa më shpejt që të jetë e mundur dhe në mënyrë të sigurt. Ne zhvilluam disa programe dhe masa të veçanta që pasqyrojnë marrëdhënien e gjatë dhe të qëndrueshme që kemi me afganët dhe për të mbrojtur disa nga grupet më të cenueshme në Afganistan", thuhet në njoftimin për shtyp të qeverisë.
I pyetur lidhur me thirrjet për rritjen e numrit prej 40 mijë, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, nuk ishte i qartë në përgjigjen e tij.
"Ne vazhdojmë të punojmë për përmbushjen e kësaj shifre dhe do të shikojmë se çfarë mund dhe duhet të bëjmë në të ardhmen në mënyra të tjera", tha ai në një konferencë shtypi në Winnipeg.
Qeveria është përkushtuar të sjell afganët më të cenueshëm, "duke përfshirë gratë lidere, mbrojtëse të të drejtave të njeriut, të persekutuarit dhe pakicat fetare…dhe gazetarët", tha Immigration Canada në një njoftim për shtyp.
Talebanët në fillim të këtij muaji i ndaluan gratë të punojnë për OKB-në, duke bërë që organizata t'u thotë punonjësve të saj të martën që të mos shkojnë në zyrat e OKB-së në Afganistan, thuhet në deklaratën e OKB-së.
"Përmes kësaj ndalese, autoritetet de facto talebane kërkojnë të detyrojnë Kombet e Bashkuara të bëjnë një zgjedhje të tmerrshme midis qëndrimit dhe ofrimit të mbështetjes për popullin afgan dhe përmbushjes së normave dhe parimeve që jemi të detyruar t'i mbështesim", thuhet në deklaratën e OKB-së.