Mahmut Geldi
29 Tetor 2019•Përditësim: 30 Tetor 2019
Kryeministri i Libanit, Saad al-Hariri, njoftoi se do të japë dorëheqje për shkak të protestave anti-qeveritare që vazhdojnë që nga 17 tetori në vendin e tij, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën për media të zhvilluar në Bejrut, Hariri tha se pas protestave që vazhdojnë që 13 ditë në Liban, do t'ia ofrojë dorëheqjen presidentit Michel Aoun.
Ai tha se është përpjekur të dëgjojë zërat e njerëzve dhe të kërkojë rrugëdalje për të mbrojtur vendin nga rreziqet e sigurisë dhe të jetesës, duke shtuar se pavarësisht të gjitha përpjekjeve ka hyrë në një rrugë pa krye.
"Jam duke shkuar në pallatin presidencial Baabda për të dorëzuar dorëheqjen time në drejtim të vullnetit të popullit. U bëj thirrje të gjithë partnerëve politikanë, përgjegjësia jonë sot është se si do ta mbrojmë Libanin dhe si do t'ia zhvillojmë ekonominë. Dorëheqjen time e lë në vlerësimin e presidentit Aoun dhe të gjithë libanezëve. Më e rëndësishme është dinjiteti dhe siguria e Libanit", tha kryeministri libanez, Hariri.
- Protestat më të gjëra nga viti 2015
Protestat masive shpërthyen në Liban më 17 tetor kundër planeve për të imponuar taksa në aplikacionin WhatsApp dhe në aplikacionet e tjera me shërbime të mesazheve. Protestat u shndërruan shpejtë në ankesa më të gjera me thirrjet për dorëheqjen e qeverisë libaneze dhe për të dhënë përgjegjësi zyrtarët e korruptuar.
Edhe pse ministri i Telekomunikimeve, Mohammad Choucair, njoftoi se vendimi për të imponuar taksa ndaj WhatsApp-it është anuluar, protestat nuk u ndalën në mbarë vendin.
Në Liban për herë të parë organizohen protesta të gjëra që nga viti 2015 kur u zhvilluan protesta për shkak të krizës me mbeturinat.
Kryeministri Hariri gjithashtu ka njoftuar për një paketë të reformave ekonomike në përpjekje për të parandaluar protestat masive dhe revoltën në rritje kundër kabinetit të tij.