Canberk Yüksel
22 Shtator 2017•Përditësim: 23 Shtator 2017
NWY YORK (AA) - Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) të enjten vonë paralajmëroi kundër "ndikimit potencialisht destabilizues" të planeve të qeverisë rajonale kurde në veri të Irakut për të mbajtur në mënyrë të njëanshme referendumin javën e ardhshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Referendumi rrezikon të devijojë luftën kundër organizatës terroriste DEASH, vuri në dukje deklarata nga KS-OKB, dhe gjithashtu mund të prishë përpjekjet për të siguruar kthimin e sigurtë të më shumë se tre milionë refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit.
Anëtarët e Këshillit "shprehën respektin e vazhdueshëm për sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e Irakut", duke bërë thirrje që të gjitha çështjet ndërmjet qeverisë qendrore të Bagdadit dhe administratës së Erbilit të zgjidhen "përmes dialogut të strukturuar dhe kompromisit të mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare".
Plani i qeverisë rajonale kurde për mbajtjen e referendumit ka shkaktuar pakënaqësi tek udhëheqësit botërorë. SHBA ka thënë se "e kundërshton fuqishëm" atë dhe ka theksuar "koston" e lartë të referendumit për "të gjithë irakianët, duke përfshirë kurdët".
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka thënë se Ankaraja do të përgjigjet me sanksione nëse referendumi i javës së ardhshme do të vazhdojë.
Erdoğan dhe presidenti amerikan Donald Trump të enjten ranë dakord se referendumi nuk duhet të vazhdojë, thuhet në njoftimin për shtyp të presidencës turke mbi takimin e dy liderëve në New York.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, përmes një telefonate i kërkoi presidentit të qeverisë rajonale kurde Mesud Barzani të shtyjë referendumin.
Banorët në krahinat e kontrolluara nga qeveria rajonale kurde në veri të Irakut planifikojnë të votojnë më 25 shtator për pavarësinë nga Bagdadi.
Provinca e pasur me naftë, Kirkuk, është midis zonave të kontestuara ku është planifikuar të votohet.