Ekip
17 Janar 2017•Përditësim: 17 Janar 2017
MOSKË (AA) – Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov, shfaqi sot shpresën se marrëdhëniet e shtetit të tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) do të jenë më të frytshme gjatë presidencës së Donald Trumpit, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë një konferencë për mediat në Moskë, Lavrov foli për politikën e jashtme të Rusisë, por edhe për zhvillimet në rajon.
Lidhur me bisedimet për Sirinë, ai tha se bisedimet në Astana do të dallojnë nga ato të mëparshme të organizuara nga Kombet e Bashkuara, sepse siç tha, në këto të fundit do të marrin pjesë vet pjesëmarrësit e konfliktit.
“Turqia dhe Rusia kanë filluar një iniciativë për t'u përfshirë në negociata edhe pjesëmarrësit në terren. Qëllimi i negociatave në Astana është forcimi i armëpushimit në Siri, si dhe tu jepen komandantëve nga terreni të drejta të barabarta të pjesëmarrjes në proces", tha Lavrov.
Ministri i Jashtëm i Rusisë ngjalli shpresën që presidenti i ri i SHBA-ve, Donald Trump, të përfaqësojë vendin e tij në negociatat në Astana, për të shtuar se ky do të ishte kontakti i parë zyrtar mes Rusisë dhe lidershipit të ri të SHBA-ve lidhur me çështjen siriane.
Lavrov vuri në dukje praninë e spekulimeve në periudhën e fundit që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit, për periudhën pasi presidenti Trump të marrë zyrtarisht detyrën.
“Duam të shohim se çfarë politike do të zhvillojë Trump dhe ekipi i tij. Shpresoj që bashkëpunimi me administratën e re të SHBA, për Sirinë si dhe për çështjet tjera do të jetë më i frytshëm nga periudha e mandatit të Barack Obamas”, tha Lavrov.