Hajer M'tırı
16 Maj 2017•Përditësim: 16 Maj 2017
PARIS (AA) - Presidenti francez Emmanuel Macron ka shtyrë për të mërkurën prezantimin e kabinetit të ri qeveritar që paraprakisht ishte planifikuar për të martën, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç thuhet në një njoftim nga pallati në Elysee, vonesa ka të bëjë me kontrollet shtesë lidhur me tatimet e paguara të ministrave të ardhshëm.
Pallati Elysee tha se “Macron dhe kryeministri i tij i ri, Edouard Philippe, vendosën të shtyjnë për të mërkurën prezantimin e kabinetit, në mënyrë që të lejohen kontrollet mbi ministrat”.
Pallati presidencial njofton më tej se anëtarët e qeverisë, gjithashtu do të nënshkruajnë një “zotim për integritet dhe moral".
Gjatë fushatës së tij, Macron u zotua të luftojë korrupsionin në mesin e politikanëve, ndërkohë që njëri nga prioritetet e qeverisë është të kalojë një projekt-ligj mbi "moralizimin e jetës politike dhe publike", që duhet të bëhet para zgjedhjeve parlamentare muajin e ardhshëm.
Projektligji përfshin ndalimin e nepotizmit në mesin e parlamentarëve, sidomos pas një skandali të punëve fiktive që dëmtoi kandidaturën presidenciale të konservatorit François Fillon.
Sipas ligjit, ministrave të zgjedhur do t'u ndalohet punësimi i një anëtari të familjes, si bashkëpunëtor.