Ekip
24 Gusht 2017•Përditësim: 24 Gusht 2017
HONG KONG (AA) - Të paktën 12 persona kanë humbur jetën nga tajfuni më i fuqishëm në 50 vitet e fundit, i cili ka goditur rajonin jugor kinez Makao, thanë zyrtarët, transmeton Anadolu Agency (AA).
Tetë persona vdiqën të enjten, dy prej të cilëve u gjetën në një garazh gjatë natës. Më shumë se 150 njerëz u plagosën për shkak të përmbytjeve të mëdha, erërave të forta dhe ndërprerjeve të energjisë.
"Kjo është një katastrofë. Humbjet janë të mëdha dhe shumë ndërtesa duhet të rindërtohen. Kam dëgjuar se shumë njerëz kanë mbetur pa ujë dhe energji elektrike", tha përfaqësuesi i parlamentit rajonal Jose Pereira Coutinho.
Coutinho theksoi se më shumë është përmbytur pjesa e vjetër e qytetit, dhe se qasja deri te banorët ishte shumë e vështirë, për shkak të rrugëve të ngushta. "Njerëzit notonin dhe kërkonin ndihmë, nuk kishte anije. Uji papritur mbërriti", tha Coutinho.
Përmbytjet dhe ndërprerja e energjisë u raportuan në Macau dhe Hong Kong, që janë 64 kilometra larg përmes rrugës ujore.
Agjencia kineze e lajmeve Xinhua raportoi se katër vetë kanë humbur jetën në krahinën e Guangdong dhe një person është zhdukur.
Tajfuni Hoto ka goditur rajonin e njohur për turizmin të mërkurën, kurse erërat e forta goditën me shpejtësi prej 160 kilometrash në orë. Tajfuni të enjten u zbeh dhe kaloi në stuhi tropikale.
Xinhua raporton se rreth 27,000 njerëz janë evakuuar dhe strehuar, ndërsa për shkak të reshjeve të mëdha, fermat lokale kanë pësuar dëme të mëdha. Dy milionë familje mbetën pa energji elektrike, kurse qarkullimi hekurudhor, detar dhe trafiku ajror u pezulluan.