Admir Fazlagikj
02 Nëntor 2017•Përditësim: 03 Nëntor 2017
SHKUP (AA) – Instituti i Shëndetit Publik i Republikës së Maqedonisë njoftoi se gjatë javës së kaluar janë regjistruar 63 raste të reja të të prekurve nga gripi, një rritje prej 40 për qind në krahasim me javën paraprake (16 deri më 22 tetor), transmeton Anadolu Agency (AA).
Në raportin e publikuar për gjendjen e të sëmurëve nga gripi theksohet se në krahasim me numrin e rasteve të regjistruara në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, këtë vit ka një rritje prej 46.5 për qind.
“Këtë javë, janë paraqitur njerëz nga nëntë njësi raportuese. Numri më i madh i të sëmurëve janë regjistruar në njësinë rajonale Gosrivar me gjithsej 36 pacientë, ndërsa numri më i ulët i të regjistruarve është në Qendrën e shëndetit publik në Prilep”, thuhet në raportin e Institutit të Shëndetit Publik.
Në raport theksohet se numri më i madh i të prekurve nga gripi këtë javë janë paraqitur në grupmoshën e cila e përfshin pjesën më të madhe të popullatës (prej 15 deri në 64 vjeç), ndërsa incidencë më e lartë u regjistrua tek personat mbi 65 vjeç.
Në sezonin 2017/2018 numri i përgjithshëm i të prekurve nga gripi është 123, që është për 28,1 për qind më pak në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur janë regjistruar 171 persona të prekur.
Sipas raporteve të arritura nga qendrat për shëndet publik, 25,171 persona janë vaksinuar së bashku me javën e kaluar në territorin e Maqedonisë dhe janë harxhuar 89,9 për qind e numrit të përgjithshëm të vaksinave të furnizuara.