Ivana Ramadanova
08 Shtator 2016•Përditësim: 09 Shtator 2016
SHKUP (AА) – Republika e Maqedonisë sot shënon 25 vjetorin e pavarësisë, pas referendumit të zbatuar me sukses më 8 shtator të vititi 1991, në të cilin qytetarët u deklaruan për shtet sovran dhe të pavarur, raporton Anadolu Agency (AA).
Mbi 95 përqind e qytetarëve që dolën në referendum iu përgjigjën pozitivisht pyetjes “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë që të hyjë në aleancë të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.
Paraprakisht më 25 janar të vitit 1991 u miratua Deklarata për pavarësi nga Parlamenti i parë shumëpartiak i Maqedonisë. Si hap i rëndësishëm për shtetin vijoi miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor të vitit 1991, dhjetë vite më vonë i njëjti u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Shteti u pavarësua në aspektin monetar me vendosjen e valutës së re - denarit më 26 prill të vitit 1992, ndërsa më pas themeloi edhe ushtrinë e vet, e cila ditëlinden e feston më 18 gusht.
Subjektiviteti juridik-ndërkombëtar i shtetit u konfirmua më 8 prill të vitit 1993 kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kur Maqedonia u pranua si anëtarja e 181-të e plotëfuqishme e organizatës botërore.
Për shkak të kundërshtimeve dhe trysnisë së Greqisë, e cila nuk e pranon emrin kushtetues të vendit, anëtarësimi në OKB u bë nën referencën: Ish-Republika Jugosllave e Republikës së Maqedonisë (IRJM).
Në vitin 2005 Maqedonia fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa në vitin 2008 edhe rekomandimin nga KE për fillimin e negociatave aderuese me Unionin, i cili u përsërit edhe sivjet.
Greqia, sikurse edhe për në NATO e bllokon eurointegrimin, duke e kushtëzuar me zgjidhje paraprake të çështjes së emrit. Shtetformësinë e Maqedonisë e para e pranoi Bullgaria, pas çka vijuan njohjet nga Turiqa, Sllovenia, Kroacia, Rusia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë, në parkun “Gruaja luftëtare” sot një numër i madh i delegacioneve vendosën lule. Delegacione qeveritare, komunale, partiake si dhe kuvendore vendosën lule të freskëta para monumentit “Heronjtë e rënë për Maqedoninë”.
Gjithashtu, lule vendosën edhe ambasadori amerikan në vend, Jess Baily si dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Charles Garrett.