Fatjon Cuka
08 Shtator 2016•Përditësim: 09 Shtator 2016
TIRANË (AA) - Konferenca ndërkombëtare e nivelit të lartë me temë: “Sfidat e institucioneve të Ombudsmanit përballë flukseve të përziera migratore”, ka mbyllur sot në Tiranë punimet me miratimin e "Deklarats së Tiranës për Migracionin”, raporton Anadolu Agency (AA).
Kjo deklaratë është miratuar nga katër organizatat më të mëdha ndërkombëtare të Ombudsmanëve si: Shoqata e Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM) me president Avokatin e Popullit të Shqipërisë, Igli Totozani, Shoqata e Ombudsmanëve dhe Mediatorëve të Frankofonisë (AOMF), Federata e Ombudsmanëve të vendeve Ibero-Amerikane (FIO), dhe Instituti Ndërkombëtar i Ombudsmanit (IOI).
Në deklaratë ndër të tjera theksohet se Ombudsmanët zotohen të zhvillojnë bashkëpunim konkret midis vendeve anëtare të këtyre organizatave.
"Shtetet kanë përgjegjësinë për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të migrantëve dhe refugjatëve, ashtu si dhe të sigurojnë kushtet e duhura për institucionet kombëtare të të drejtave të njeriut në përmbushjen e mandatit të tyre në këtë fushë. Shtetet duhet të zbatojnë detyrimet ndërkombëtare lidhur me të drejtat e njeriut, sidomos në ofrimin e procedurave të përshtatshme për kërkimin e azilit dhe gëzimin e kësaj të drejte, si dhe në përcaktimin e kushteve të përshtatshme për pritjen e migrantëve dhe refugjatëve në këto shtete", thuhet në deklaratë.
Gjithashtu iu bëhet thirrje shteteve që të persin me solidaritet dhe humanizëm çdo qytetar që ka nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.
I pranishëm në ditën e dytë të konferencës ishte edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. Në fjalën e tij Meta theksoi se kriza e paprecedentë në hapësirën e Mesdheut, ka krijuar një situatë mjaft problematike dhe sfiduese në shumë aspekte, sipas tij, që nga mbrojtja e të drejtave të njeriut e deri tek flukset migratore si dhe rreziku i terrorizmit në Evropë.
Gjithashtu Meta vlerësoi se rreziku aktual me të cilin përballet çdo shtet i prekur nga kriza migratore e pakontrolluar është depërtimi i elementëve terroristë midis personave migrantë aktualisht të parregullt.
Në këtë konferencë dy ditore kishte një pjesëmarrje të gjerë të drejtuesve dhe përfaqësuesve të Avokatit të Popullit nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Turqia, nga vendet e tjera të Evropës, Afrika, si dhe nga vendet ibero-amerikane.