Yassine Aydi,Safiye Karabacak
19 Maj 2021•Përditësim: 20 Maj 2021
Është rritur në 4 numri i personave që kanë humbur jetën në ndërhyrjen e forcave izraelite ndaj protestave të zhvilluara në zona të ndryshme të Bregut Perëndimor nën okupim me qëllim për të mbështetur Rripin e Gazës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se 4 palestinezë kanë humbur jetën pasi janë qëlluar me plumba të vërtetë në ndërhyrjen e ushtarëve izraelitë në protestat e mbajtura në Bregun Perëndimor.
Në një deklaratë nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze thuhet se si pasojë e ndërhyrjes nga ushtarët izraelitë janë plagosur 503 palestinezë, 182 prej të cilëve me plumba të vërtetë, 195 me plumba gome, 120 si pasojë e rrëzimit dhe djegies dhe 6 prej tyre si pasojë e shtypjes.
Po ashtu në deklaratë vihet në dukje se edhe 931 palestinezë kanë qenë në rrezik për shkak të gazit lotsjellës.
Në një deklaratë më parë nga Ministria palestineze e Shëndetësisë ishte vënë në dukje se në Qendrën Mjekësore Palestineze në Ramallah kishin mbërritur 2 palestinezë të paidentifikuar të cilët ishin plagosur rëndë në ndërhyrjen e ushtarëve izraelitë në protestat e mbajtura në pjesën veriore të Ramallahut, por që pavarësisht të gjitha ndërhyrjeve nuk kanë mundur të mbijetojnë.
Ngjarjet në Kuds dhe Gaza
Sulmi i Izraelit ndaj atyre që kryenin adhurim gjatë Ramazanit në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor dhe plani për të dëbuar me forcë banorët e lagjes Sheikh Jarrah përshkallëzoi tensionet në rajon.
Grupet palestineze të rezistencës në Rripin e Gazës i dhanë policisë izraelite afat që të tërhiqen deri në orën 18:00 ditën e hënë më 10 maj nga lagjja Sheikh Jarrah dhe Xhamia Al-Aksa që ndodhet në Kudsin Lindor nën pushtim.
Pasi policia izraelite nuk u tërhoq nga Sheikh Jarrah dhe Xhamia Al-Aksa ndërsa grupet rezistencës palestineze lëshuan një numër të madh raketash drejt Izraelit.
Pas kësaj ushtria izraelite njoftoi fillimin e operacionit ushtarak "Mbrojtësit e Mureve" kundër Rripit të Gazës.
Në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë që nga 10 maji e deri më tani në Rripin e Gazës kanë humbur jetën 218 persona, përfshirë 63 fëmijë dhe 36 gra ndërsa janë plagosur 1.507 të tjerë.