Gökhan Çeliker
09 tetor 2026•Përditësim: 09 tetor 2026
Turqia ka dënuar “në termat më të ashpër” sulmet e Huthive ndaj dy aeroporteve në Arabinë Saudite, nga të cilat janë vrarë tre persona dhe janë plagosur 36 të tjerë, transmeton Anadolu.
“Dënojmë në termat më të ashpër shënjestrimin nga Huthit të Aeroportit Ndërkombëtar të Abhas në jug të Arabisë Saudite dhe Aeroportit Ndërkombëtar “Mbreti Khalid” në Riad”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë në një deklaratë në platformën sociale amerikane X.
Ministria u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe të plagosurve u ka uruar shërim të shpejtë.
Ajo ka bërë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve ndaj civilëve dhe infrastrukturës, duke paralajmëruar se veprime të tilla i përshkallëzojnë më tej tensionet rajonale.
“Ritheksojmë solidaritetin tonë të plotë me Arabinë Saudite dhe përsërisim thirrjen tonë që mosmarrëveshjet ekzistuese të zgjidhen përmes dialogut dhe diplomacisë”, thuhet në deklaratë.
- Sulmet e Huthive ndaj Arabisë Saudite
Grupi jemenas Huthi, i mbështetur nga Irani, ka kryer sulme me raketa balistike dhe dronë ndaj Riadit dhe disa zonave të tjera të Arabisë Saudite.
Autoriteti i Përgjithshëm i Aviacionit Civil të Arabisë Saudite (GACA) ka bërë të ditur se tre persona janë vrarë dhe 36 të tjerë janë plagosur nga sulmet e Huthive ndaj Aeroportit Ndërkombëtar të Abhas, në qytetin jugor Abha, dhe Aeroportit Ndërkombëtar “Mbreti Khalid” në Riad.