Ahmet Gürhan Kartal
25 Maj 2017•Përditësim: 25 Maj 2017
LONDËR (AA) – Kryeministrja britanike, Theresa May, sot pas takimit të sigurisë deklaroi se niveli i rrezikut nga terrorizmi në këtë vend mbetet “kritik”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministrja britanike sqaroi se dje është shpallur shkalla “kritike” që do të thotë se ushtarët e armatosur mund në vend të policisë të stacionohen në ngjarjet publike, siç janë ndeshjet e sportit.
May këtë e deklaroi para vizitës në Bruksel, ku merr pjesë në samitin e liderëve të vendeve të NATO-s. Ajo pritet që presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, t’i shpreh shqetësimin për shkak të rrjedhjes së informacioneve lidhur me sulmin vetëvrasës në Manchester.
“Trumpit do t’i them se të dhënat e inteligjencës që janë shkëmbyer mes agjencive tona për zbatimin e ligjit duhet të mbeten të mbrojtura”, tha May.
Britania e Madhe për herë të tretë gjatë 11 viteve të fundit ka ngritur nivelin e terrorizmit në “kritik”. Ky nivel i kërcënimit për herë të fundit është vendosur në vitin 2007 kur u lajmëruan informacione për sulme të mundshme në një klub nate në Londër, ndërsa është vendosur edhe një vit më herët pas alarmit se do të kryhet sulm në një avion gjatë fluturimit transatlantik.
Në sulmin terrorist të kryer më 22 maj para përfundimit të koncertit të pop yllit Ariana Grande në Manchester Arena humbën jetën 22 persona, ndërsa u lënduan më shumë se 70 të tjerë prej të cilëve 23 janë në gjendje kritike. Policia njoftoi se gjatë shpërthimit pësoi për vdekje edhe sulmuesi Salman Abedi.
Policia në Manchester vazhdon hetimin dhe operacionin në mbarë vendin. Ajo bëri të ditur se janë duke vazhduar bastisje të shpejta dhe efikase në shumë adresa, dhe se deri tani janë arrestuar gjithsej shtatë persona.