Ahmet Gürhan Kartal
16 Nëntor 2018•Përditësim: 16 Nëntor 2018
LONDËR (AA) – Kryeministrja britanike, Theresa May, u zotua të vazhdoj me marrëveshjen e saj Brexit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një fjalim në të cilin falënderoi dy ministrat të cilët dhanë dorëheqje, Dominic Raab dhe Esther McVey, May shprehu keqardhje për largimin e tyre.
“Të shërbyerit në zyrën e lartë është një nder dhe privilegj, por njëkohësisht një përgjegjësi e madhe”, tha ajo, për të shtuar se marrëveshja Brexit është një çështje me pasoja të mëdha.
"Prek çdo fushë të jetës së kombit tonë, për çka qasja e saj ka qenë të vendosë në vend të parë interesin kombëtar”, tha May.
Ajo shtoi më tej se marrëveshja e miratuar nga kabineti të mërkurën, u jep njerëzve atë për të cilët kanë votuar.
"Që nga fillimi, unë e dija se çfarë dua për britanikët në mënyrë që të nderoj votën e tyre në referendum”, tha May.
Të enjten, ministri britanik për daljen nga Bashkimi Evropian (Brexit), Dominic Raab dhe ministri i Shtetit për Irlandën e Veriut, Shailesh Vara dhanë dorëheqjet e tyre, duke treguar si arsye marrëveshjen Brexit me Bashkimin Evropian (BE).
Pas kësaj, një tjetër ministër i qeverisë, Ester McVey, ndoqi hapat e Raab duke dhënë dorëheqjen si sekretar i Punës dhe i Pensioneve, me arsyetimin se nuk mund ta mbështeste marrëveshjen.
Në tekstin prej 585 faqesh në marrëveshjen Brexit pjesën më kritike e përbën problemi kufitar mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut.
Sipas tekstit të marrëveshjes, Britania që nga 29 marsi 2019 kur vendi do të largohet zyrtarisht nga BE-ja do të nisë procesin 2 vjeçar të tranzicionit, ku Britania do të ruajë avantazhet dhe detyrimet specifike për anëtarësimin në BE.
Periudha e tranzicionit në të cilën palët do të negociojnë për marrëdhëniet e tyre të ardhshme tregtare do të përfundojë deri në fund të dhjetorit 2020, por palët do të jenë në gjendje të zgjasin këtë periudhë në qoftë se bien dakord deri në muajin korrik të të njëjtit vit.