Haydar Hadi
03 Mars 2017•Përditësim: 04 Mars 2017
MOSUL (AA) - Të paktën 273.000 civilë e kanë braktisur Mosulin që nga fillimi i operacionit për çlirimin e këtij qyteti irakian nga terroristët e DEASH-it, raporton Anadolu Agency (AA).
Forcat e bashkuara irakiane, pas tre muajve luftime, nga terroristët e DEASH-it çliruan bregun lindor të lumit Tigër në Mosul ndërsa së fundmi kanë nisur një operacion të gjerë për çlirimin e pjesës perëndimore të qytetit të cilin terroristët e DEASH-it e kontrollojnë nga vera e vitit 2014.
Ministri irakian për Migrim Qassim al-Jaf deklaroi se dje ekipet e ministrisë janë në terren dhe kanë hasur në mbi 14.000 civilë në perëndim të Mosulit dhe se i kanë vendosur ata në kampet e refugjatëve.
Jaf theksoi se Mosulin deri më tani e kanë braktisur 273.000 civilë. Ministri irakian tha se për shkak të përleshjeve në këtë vend 4.3 milionë civilë janë detyruar të largohen nga vendi.
Sipas tij, nga ky numër 1.6 milionë janë kthyer në shtëpitë e tyre përderisa 600 mijë akoma ndodhen në kampet e refugjatëve. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB) në perëndim të Mosulit jetojnë afro 800 mijë civilë.
Iraku është vatër e një krize të thellë politike dhe të sigurisë e cila eskaloi në verën e vitit 2014 kur terroristët e DEASH-it pushtuan Mosulin dhe disa qytete të tjera.
Edhe pse deri diku lufta kundër terroristëve të DEASH-it ka unifikuar opsionet shiite, sunite dhe kurde në vend, duket se edhe kriza politike në Bagdad është akoma larg zgjidhjes.