Ekip
02 Mars 2023•Përditësim: 03 Mars 2023
Mbretëresha e Danimarkës, Margrethe II, e cila është monarkja më jetëgjatë në Evropë me sundimin e saj gjysmë shekullor, është liruar sot nga spitali në Kopenhagë pasi iu nënshtrua një operacioni në shpinë javën e kaluar, njoftoi pallati mbretëror, transmeton Anadolu.
Mjekët thanë se ishin të kënaqur pas ndërhyrjes kirurgjikale të 22 shkurtit dhe gjendjen e mbretëreshës 82-vjeçare, bëri të ditur familja mbretërore, duke shtuar se "atë tani e pret një proces i gjatë rehabilitimi fizik, i cili mund të zgjasë gjatë muajve të ardhshëm'.
Më herët pallati kishte thënë se mbretëresha iu nënshtrua një "operacioni të gjerë në shpinë" në spitalin universitar të kryeqytetit danez, pasi kishte përjetuar dhimbje të mëdha në shpinë.
Disa takime zyrtare janë shtyrë, anuluar ose po trajtohen nga anëtarë të tjerë të familjes mbretërore.
Për kryerjen e detyrave janë angazhuar djali më i madh i mbretëreshës, trashëgimtari i fronit, Princi i Kurorës Frederik, dhe gruaja e tij, Princesha e Kurorës Mary, si dhe motra e mbretëreshës, Princesha Benedikte.
Kushtetuta daneze nuk i jep Margrethe, kreut të shtetit të Danimarkës, asnjë pushtet politik, ndërsa detyrat e saj janë ceremoniale. Ajo u shpall mbretëreshë më 15 janar 1972, pas vdekjes së babait të saj.