Dmitri Chirciu
28 Gusht 2019•Përditësim: 29 Gusht 2019
Mediat ruse i kanë kushtuar një vëmendje të gjerë takimit të zhvilluar dje në Moskë mes presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shtypi rus i ka dhënë një pasqyrim të gjerë takimit Erdoğan-Putin i cili u zhvillua dje në hapjen e Panairit Ndërkombëtar të Aviacionit dhe të Hapësirës MAKS-2019 në aeroportin ndërkombëtar "Jukovski" në Moskë.
Agjencia ruse e lajmeve TASS ka përdorur titullin: "Rusia dhe Turqia, bisedojnë për blerjen e avionëve luftarakë Su-35 dhe Su-57". Në lajm u theksua se presidenti Erdoğan u informua në lidhje me avionët dhe helikopterët luftarakë rusë.
Ndërsa gazeta "Izvestiya" në artikullin e saj shkroi se Putin dhe Erdoğan biseduan për prodhimin e përbashkët në fushën ushtarake.
Gazeta ruse "Kommersant" duke përmendur çështjen e Sirisë ka shkruar "Liderët rusë dhe turq u dakorduan". Në artikull është theksuar se "Pavarësisht se problemi i Idlibit është i ndjeshëm për të dyja vendet, Putin dhe Erdoğan kanë tërhequr vëmendjen se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të ngushta".
Ndërkohë edhe agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti tha se të dy udhëheqësit mbrojnë integritetin e Sirisë.