Sinan Doğan
24 Shkurt 2021•Përditësim: 24 Shkurt 2021
Në aeroportin ndërkombëtar në kryeqytetin e Meksikës, Meksiko mbërriti dërgesa e pjesës së parë prej 200 mijë doza të vaksinës ruse Sputnik V kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard në një postim nga llogaria në Twitter falënderoi Rusinë. "I jemi mirënjohës presidentit Vladimir Putin, ministrit të Jashtëm, Sergey Lavrov dhe ambasadorit Viktor Koronelli për mbështetjen që kanë dhënë në dërgimin e vaksinave Sputnik V në vendin tonë", tha Ebrard.
Kryetarja e Bashkisë së Meksikos, Claudia Sheinbaum në deklaratën e saj njoftoi se vaksinat e ardhura nga Rusia do të injektohen që nga nesër tek qytetarët mbi 60 vjeç në rajonet Iztacalco, Tlahuac dhe Xochimilco.
Qeveria e Meksikës deri më tani ka arritur marrëveshje për të marrë 34.3 milionë doza nga kompania amerikane farmaceutike Pfizer, 77.4 milionë doza të vaksinës së zhvilluar nga Universiteti Oxford me kompaninë farmaceutike AstraZeneca, 24 milionë nga vaksina ruse Sputnik V dhe 51.5 milionë doza nga Programi Global i Qasjes në Vaksina COVID-19 (COVAX).
Meksika me 180.536 vdekje renditet në vendin e tretë në botë me numrin më të lartë të vdekjeve me burim nga COVID-19 ndërsa me 2.043.632 raste renditet në vendin e 13-të për sa i përket numrit të rasteve.