Michael Gabriel Hernandez
24 Shkurt 2021•Përditësim: 24 Shkurt 2021
Veterani 30-vjeçar i Marinës Amerikane nga Kalifornia e Veriut në SHBA, Angelo Quinto humbi jetën në fund të vitit të kaluar pasi një oficer i policisë i vendosi gjurin në qafë për 5 minuta, pretendon familja e tij në procesin gjyqësor të ngritur kohët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Quinto po përjetonte krizë të shëndetit mendor pasi vuante nga paranoja dhe ankthi për muaj me radhë kur oficerët e Departamentit të Policisë së Antioch arritën në vend, familja e tij ngriti një padi penale për vdekjen më 18 shkurt.
Videoja e arrestimit fatal e filmuar nga nëna e veteranit Quinto dhe e postuar në rrjetet sociale e tregon atë të shtrirë me fytyrë në tokë, të prangosur, ndërsa gjaku i rrjedh nga goja. Ai në pamjet e filmuara shihet se nuk reagon.
"Çfarë ndodhi?", pyeti nëna e tij, Cassandra Quinto-Collins, pa frymë në videon nga 23 dhjetori. "A mund ta marrësh, të lutem?", pyet ajo oficerët.
Është e paqartë se çfarë ndodhi para se të fillonte filmimi.
Por, padia pretendon se Quinto tashmë kishte filluar të qetësohej ndërsa shtrihej në dysheme, i përqafuar fort në krahët e nënës së tij, sipas CNN. Në vend që të përpiqeshin të kuptonin situatën, oficerët menjëherë kapën Quinto-n dhe u përpoqën ta nënshtrojnë duke i vendosur gjurin në qafë, thanë avokatët e tij në një konferencë për media.
Ai u shpall i vdekur 3 ditë më vonë.
"Këta oficerë policie të Antioch-it kishin vënë në pranga Angelo-n por nuk e ndaluan sulmin ndaj të riut dhe në mënyrë të pashpjegueshme filluan të përdorin teknikën 'George Floyd' duke vendosur gjurin në pjesën e pasme dhe anën e qafës së tij, duke injoruar lutjet e z. Quinto 'ju lutem mos më vrisni'", tha John Burris, avokati i familjes, në konferencën për media më 18 shkurt.