Ömer Faruk Yıldız
26 mars 2021•Përditësim: 27 mars 2021
Është rritur në 320 numri i personave që kanë humbur jetën në Mianmar si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë ndaj atyre që protestojnë kundër grushtit ushtarak dhe arrestimit të anëtarëve të qeverisë së zgjedhur, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas raportit ditor të përgatitur nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP) thuhet se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 34 protestues tjerë, duke rritur në 320 numrin e viktimave, 264 prej të cilëve janë qëlluar nga forcat e sigurisë.
Në raport thuhet se nuk dihen shkaqet për vdekjen e 56 personave dhe se shumica e personave që kanë humbur jetën janë të rinj të grup-moshës 18-24 vjeç.
Stacioni i ushtrisë në rajonin Kachin kalon nën kontrollin e grupit etnik të armatosur
Ushtria për Pavarësi e Kachin (KIA) e cila vepron në rajonin Kachin të Mianmarit dhe e cila ka deklaruar se do të mbrojë protestuesit kundër administratës ushtarake, ka marrë nën kontroll një stacion të ushtrisë në rajon.
Zëdhënësi i KIA, Naw Bu, i cili ka folur për faqen "Myanmar Now" tha se pas konflikteve që filluan në orët e natës dhe të cilat zgjatën 11 orë kanë arritur të marrin kontrollin e bazës ushtarake dhe stacionit të ushtrisë e cila ndodhet në zonën Alaw Buam në kufi me Kinën.
Grushti ushtarak në Mianmar
Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.
Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.
Turqia dënoi grushtin e shtetit, ndërkohë kritika dhe reagime të ndryshme erdhën edhe nga vende të ndryshme perëndimore.
Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grusht shtetit me kërkesën për kthimin në demokraci. Në ndërhyrjet e armatosura të forcave të sigurisë kanë humbur jetën të paktën 320 protestues.
Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest.