Milano, qendra e modës dhe tregtisë në veri të Italisë
I vendosur në veri të Italisë, Milano është një qendër e modës, dizajnit dhe financave, si dhe një nga qytetet e rëndësishme turistike të Evropës me ndërtesat historike dhe muzetë e artit

Ankara
I vendosur në veri të Italisë, Milano është një qendër e modës, dizajnit dhe financave, si dhe një nga qytetet e rëndësishme turistike të Evropës me ndërtesat historike dhe muzetë e artit, raporton Anadolu.
Ndër strukturat më ikonike të qytetit janë Duomo di Milano, katedralja më e madhe në botë e stilit gotik, Galleria Vittorio Emanuele II, një nga qendrat tregtare më të vjetra si dhe La Scala, një nga ndërtesat më të mëdha të teatrit.
Në qytetin me rrugë me dyqane luksoze, vëmendjen e turistëve e tërheqin edhe dyqanet e suvenireve dhe muzikantët e rrugës. Katedralja e Milanos (Duomo di Milano), simboli më i rëndësishëm i qytetit për të cilën u deshën gati gjashtë shekuj për ta përfunduar, pret shumë vizitorë çdo ditë. Përreth katedrales ndodhen shumë statuja prej bronzi.
La Scala, është një ndërtesë historike dhe një nga ndërtesat më të mëdha të teatrit. Galleria Vittorio Emanuele II e cila ka marrë këtë emër duke iu referuar mbretit të parë të Italisë Vittorio Emanuele II, është bërë frymëzim që shumë pasazhe pas saj dhe qendra tregtare të marrin emrin "Galeria". Galeria e cila tërheq vëmendjen me dizajnin e saj arkitektonik është ndër vendet më të vizituara në qytet.
Në sheshet e qytetit shihen disa vizitorë që ushqejnë pëllumbat në duart e tyre.
Sa i përket popullsisë, Milano është qyteti i dytë më i madh i Italisë dhe ka rrjetin më të madh të metrosë në aspektin e kapacitetit të transportit të pasagjerëve.