Başak Erkalan Köprübaşılı, Emirhan Yılmaz, Mert Davut, Zeynep Duyar
05 tetor 2026•Përditësim: 05 tetor 2026
Ministra dhe zyrtarë të lartë të qeverive nga vende të ndryshme janë mbledhur në qytetin jugor turk Antalya për Kongresin e 77-të Ndërkombëtar të Astronautikës (IAC 2026), për të diskutuar strategjitë kombëtare në fushën e hapësirës dhe për të trajtuar komercializimin e orbitës së Tokës, transmeton Anadolu.
Mehmet Fatih Kacir, ministri turk i Industrisë dhe Teknologjisë, tha në këtë takim se investimet në shkencën hapësinore janë thelbësore për prodhimin e teknologjive me vlerë të lartë të shtuar dhe për ruajtjen e avantazhit konkurrues.
“Hapësira është shtylla kurrizore e prodhimit të mallrave dhe shërbimeve me vlerë të shtuar dhe Turqia ka bërë investime vitet e fundit, përfshirë edhe lëshimin e satelitëve të zhvilluar në vend”, tha ai.
Ai shpjegoi se Ankaraja lëshoi fillimisht në vitin 2023 satelitin e saj të vëzhgimit me rezolucion të lartë IMECE ndërsa me lëshimin e satelitit të komunikimit Turksat 6A, Turqia iu bashkua grupit të vetëm rreth një duzinë shtetesh në mbarë botën që kanë aftësinë të projektojnë dhe prodhojnë satelitët e tyre të komunikimit.
Kacir tha se një nga prioritetet kryesore të Turqisë është zbarkimi në sipërfaqen e Hënës ndërsa po punohet për ndërtimin e një teknoparku në kryeqytetin Ankara dhe të një porti hapësinor në Somali, një prej aleatëve të Turqisë, me qëllim sigurimin e qasjes së pavarur në hapësirë.
- Emiratet e Bashkuara Arabe
Ahmad Belhoul Al Falasi, ministri i Sportit i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe kryetar i Agjencisë Hapësinore të Emirateve të Bashkuara Arabe tha se strategjia kombëtare hapësinore e Emirateve për vitin 2031 synon dyfishimin e rritjes së të ardhurave të sektorit hapësinor dhe renditjen ndër 10 ekonomitë hapësinore më të mëdha në botë.
“E kemi kuptuar se nuk është domosdoshmërisht çështje financimi, ata (startup-et) kanë nevojë për qasje në tregje përmes marrëveshjeve tona dypalëshe tregtare dhe kanë nevojë për qasje në infrastrukturën hapësinore, si testimet e zjarrit, platformat e lëshimit dhe dhomat e pastra”, tha ai.
“Së treti, qasja te talentet, kemi qenë me fat në Emirate, sepse kemi mundur të tërheqim talentet më të mira dhe më të zgjuara të rajonit si dhe talentet vendase. Me pak fjalë, dekada e parë ishte për ndërtimin e bazave ndërsa tani, në dekadën e dytë, duam të përfshijmë sektorin privat për të zhvilluar një ekosistem dinamik dhe të ndërlidhur, që vendos një ekuilibër mes sektorit publik dhe atij privat”, shtoi ai.
- Polonia dhe Uzbekistani
Michal Jaros, sekretari i Polonisë për Zhvillimin Ekonomik dhe Teknologjinë, tha se Kongresi Ndërkombëtar i Astronautikës i vitit të ardhshëm do të mbahet në Poloni, në qytetin perëndimor Poznan.
Ai tha se hapësira ka rëndësi të madhe si për sigurinë, ashtu edhe për ekonominë, duke shtuar se teknologjitë satelitore janë zhvilluar për të mbështetur shumë fusha, si navigacioni, transporti, komunikimi, bujqësia dhe menaxhimi i krizave.
Ai tha se që nga koha kur Polonia priti kongresin 60 vjet më parë, në vitin 1964, vendi ka kaluar nëpër një transformim të plotë.
“Ne kaluam nga izolimi drejt bashkëpunimit dhe ky është drejtimi që të gjithë duhet të ndjekim kur mendojmë për hapësirën, nëse duam që hapësira të mbetet e sigurt, e qëndrueshme dhe e disponueshme për aktivitete paqësore dhe për brezat e ardhshëm, na duhet më shumë bashkëpunim. Shihemi në Poznan vitin e ardhshëm”, tha ai.
Sherzad Shermatov, ministri i Uzbekistanit për Teknologjitë Digjitale tha se hapësira ka qenë një nga prioritetet e kombit të tij për gjashtë shekuj, që nga koha “kur sundimtari i Samarkandës ndërtoi observatorin më të madh në botë”.
“Qëllimi ynë është ta rikthejmë këtë prioritet kombëtar nën udhëheqjen e presidentit tonë”, tha ai duke shtuar se një nga synimet e vendit është të ringjallë interesimin e të rinjve për shkencën dhe teknologjitë.
Ai tha se vendi po përgatitet të presë Kongresin Ndërkombëtar të Astronautikës në vitin 2028, krahas përpjekjeve të tjera për të lëshuar satelitin e tij dhe për të dërguar të rinj uzbekë në hapësirë.
- Spanja
Juan Cruz Cigudosa, sekretari spanjoll për Shkencën, Inovacionin dhe Universitetet, tha se sektori hapësinor i Spanjës u rrit në mënyrë eksponenciale gjatë periudhës 2022-2025, pasi kompanitë spanjolle të hapësirës rritën të ardhurat e tyre me 40 për qind, duke arritur në 1.5 miliardë euro (1.68 miliardë dollarë) në vit, ndërsa punësimi në këtë sektor u rrit me 52 për qind.
“Në takimin e fundit ministror të ESA-s (Agjencisë Evropiane të Hapësirës) në nëntor 2025, Spanja u bë për herë të parë kontribuuesi i katërt më i madh në ESA, ne do të kontribuojmë me 1.55 miliardë euro gjatë periudhës 2026-2030”, tha ai.
“Kjo përfaqëson një rritje trefish të kontributeve tona vjetore krahasuar me 10 vjet më parë”, shtoi ai.
Cigudosa tha se Spanja është kandidate për të pritur Kongresin e 80-të Ndërkombëtar të Astronautikës në Barcelonë në vitin 2029, ku do të diskutohen qëndrueshmëria, rezistenca ndaj ndryshimeve klimatike dhe çështjet që lidhen me ujin.