İdris Okuducu
09 Shkurt 2017•Përditësim: 10 Shkurt 2017
MOSUL (AA) - Tirania që organizata terroriste DEASH ka ushtruar në rajonet në Irak nën kontrollin e saj, krahas njerëzve, ka shkaktuar edhe dëmtimin e kafshëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Shembull i kësaj tiranie është kopshti zoologjik që gjendet në pjesën lindore të qendrës së qytetit të Mosulit e cila është marrë nga DEASH-i. Për shkak të urisë dhe moskujdesjes për kafshët në kopshtin zoologjik i cili ishte lënë në duart e fatit gjersa pjesa lindore gjendej nën kontrollin e organizatës terroriste, në jetë kanë arritur të ngelin "vetëm një luan dhe një ari".
Forcat e sigurisë irakiane morën kontrollin e plotë të pjesës lindore të Mosulit afërsisht 100 ditë pas operacionit të filluar më 17 tetor të vitit 2016 për marrjen e kësaj pjese nga organizata terroriste DEASH.
Në kopshtin zoologjik Muntazar en-Nur, kopshti i vetëm i Mosulit i cili ishte lënë në duar të fatit gjatë rënies së qytetit, robërimit prej dy vitesh e gjysmë nga DEASH-i dhe operacionit të vështirë për çlirimin e tij, kanë ngelur vetëm një luan i quajtur Simbo dhe një ari.
Kopshti zoologjik gjendet në një park fëmijësh të një menaxheri privat në lagjen Murur të qytetit. Para organizatës terroriste DEASH, thuhet se në kopsht kishte shumë lloje të kafshëve të prura nga vende të ndryshme të botës.
"Banorët e lagjes përpiqen t'i ushqejnë aq sa munden"
Banorët e lagjes thonë se organizata terroriste DEASH, pas marrjes së qytetit, ka marrë me forcë nga pronari parkun dhe e ka shndërruar atë në "bazë ushtarake". Kafshët janë ushqyer me mundësi shumë të kufizuara nga banorët e lagjes, megjithatë, me kalimin e ditëve, thuhet se mundësitë janë shterur dhe për këtë arsye shumica e kafshëve në park kanë ngordhur nga uria dhe moskujdesja.
Para një kohe të shkurtër, bashkia ka marrë përsipër të kujdeset për luanin në moshë tre vite e gjysmë dhe ariun pranë tij, të cilët kanë qëndruar në kafazin i cili kundërmonte për shkak të moskujdesjes.
Huzur Ali, i angazhuar nga bashkia, tha se kujdeset në park në mënyrë që kafshët të mos dëmtohen.
Duke folur për AA, Ali theksoi se është pamundur të sigurohet kujdes normal për luanin dhe ariun në një kohë kur, siç tha ai, njerëzit në qytet nuk mund të sigurojnë ushqime të mjaftueshme për veten e tyre.
"Gjersa njerëzit në Mosul janë të uritur, është e vështirë të ngopen këto kafshë. Megjithatë, edhe krahas mundësive të kufizuara, banorët e lagjes po përpiqen t'i ushqejnë ato aq sa kanë mundësi", u shpreh Ali.
Ali njoftoi se organizata për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve që ka ardhur nga Erbili ka sjellë për luanin dhe ariun mish pule dhe disa produkte ushqyese. "Çdokush po bën aq sa mundet në mënyrë që kafshët të mbijetojnë", vazhdoi Ali.
"Nuk dua t'i sjellë fëmijët për shkak të kundërmimit"
Ala Tarik, shtëpia e të cilit gjendet përballë parkut ku gjendet kopshti zoologjik, tha se para se DEASH të merrte qytetin, në kopsht kishte shumë kafshë, megjithatë, sipas tij, kafshët kanë ngordhur një nga një për shkaqe të ndryshme gjatë dy viteve e gjysmë të fundit.
Sipas Tarik, fëmijët çdo ditë dëshirojnë të shkojnë afër luanit dhe ariut që kanë mbijetuar, duke shtuar se "Vendi ku qëndrojnë kafshët ishte lënë në harresë. Nuk dua t'i sjellë fëmijët për shkak të kundërmimit. Qeveria dhe organizatat e të drejtave të kafshëve urgjentisht duhet ta pastrojnë parkun dhe t'i plotësojnë nevojat për ujë të pastër dhe ushqim".