Ömer Tuğrul Çam
30 Maj 2023•Përditësim: 30 Maj 2023
NATO njoftoi se do të dërgojë përforcime në Misionin Paqeruajtës (KFOR) në Kosovë, ku ditët e fundit janë rritur tensionet, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli thuhet se vendimi për dërgimin e trupave shtesë është marrë për shkak të ngjarjeve të fundit dhe lëndimit të 30 ushtarëve të KFOR-it në këto incidente.
Në kuadër të kësaj u mobilizuan Forcat Operacionale të Shpëtimit për Ballkanin Perëndimor, të cilat janë gati për t'u dislokuar brenda 7 ditëve. Rezervistët e madhësisë së regjimentit janë të vendosur në Itali dhe mobilizohen në kohë krize ose përballë kërcënimit në rritje, me urdhër të Komandantit të Forcave të Përbashkëta të NATO-s.
Përveç kësaj, një batalion i ushtarëve shumëkombësh u urdhërua të shpejtojë gatishmërinë për t'u vendosur nga 14 ditë në 7 ditë për të mbështetur KFOR-in në rast nevoje.
Komandanti i Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admirali Stuart Munsch deklaroi se dërgimi i forcave shtesë në Kosovë u vendos si masë paraprake për të ofruar kapacitetet që i duhen KFOR-it për të garantuar sigurinë.
"Të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet që cenojnë paqen në të gjitha rajonet e Kosovës", tha Munsch.
Theksohet se Komanda e Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli monitoron nga afër situatën në Kosovë dhe do të vazhdojë të koordinohet me KFOR-in për të ofruar kapacitetet dhe forcat që mund t'i nevojiten.
- Janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it në Kosovë
Më 26 maj, serbët e Kosovës protestuan kundër zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë që fituan zgjedhjet lokale të 23 prillit në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, ku serbët janë të përqendruar në veri të Kosovës.
Ndërkaq ka ndodhur një përplasje mes serbëve lokalë dhe Policisë së Kosovës, e cila është dërguar në veri për të mbrojtur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës. Më 29 maj, 30 ushtarë të KFOR-it u plagosën pasi serbët e Kosovës u përleshën me ushtarët e KFOR-it që ruanin ndërtesat komunale