Dmitri Chirciu
24 Maj 2023•Përditësim: 24 Maj 2023
Guvernatori i rajonit Belgorod të Rusisë, Vyacheslav Gladkov, njoftoi se ndaj rajonit janë kryer sulme me mjete ajrore pa pilot (dronë) transmeton Anadolu.
Përmes kanalit Telegram, Gladkov bëri një deklaratë lidhur me situatën në rajonin Belgorod.
"Nata nuk kaloi e qetë. Ka pasur sulme të shumta me dronë. Shumica e këtyre u goditën nga sistemet e mbrojtjes ajrore, por në Belgorod janë shënuar dëme", tha Gladkov.
Ai konfirmoi se një zjarr ka shpërthyer në linjën e tubacionit të gazit në qytetin Grayvoron të lidhur m rajonin dhe se vazhdojnë punimet lidhur me riparimin e linjave elektrike dhe të tubacionit të ujit.
Ndërkohë, 9 persona të plagosur si pasojë e sulmeve vazhdojnë trajtimin në spital. "Në Grayvoron mbi 550 persona ndodhen në qendrat e strehimit. Këta do të kthehen në shtëpitë e tyre pasi forcat e sigurisë të pastrojnë rajonin dhe të japin leje", tha Gladkov.
Gjithashtu Gladkov vuri në dukje se një person është plagosur në fshatin Terezovka si pasojë e hapjes së zjarrit nga ushtria ukrainase.
Grupi i sabotazhit i lidhur me ushtrinë ukrainase hyri në fillim të javës në rajonin Belgorod dhe informoi mbi situatën e "operacionit kundër terrorizmit" në rajon.
Edhe Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se grupi i sabotazhit që hyri në rajon u mposht dhe se u neutralizuan mbi 70 militantë të tij.