Michael Hernandez
06 nëntor 2018•Përditësim: 07 nëntor 2018
WASHINGTON (AA) - Qytetarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë nisur drejt qendrave të votimit për të bërë përzgjedhjen e tyre në zgjedhjet e mesmandatit, raporton Anadolu Agency (AA).
Shumica e vendvotimeve filluan të hapen mes orës 6 dhe 7 paradite në Bregdetin Lindor (1100 dhe 1200 GMT). Po ashtu, qendrat e votimit në SHBA-në qendrore dhe perëndimore u hapën në të njëjtën kohë, sipas zonave të tyre kohore.
Votuesit do të bëjnë përcaktimin e tyre për 435 ulëset në Dhomën e Përfaqësuesve si edhe 35 ulëset në Senatin 100-anëtarësh.
Republikanët aktualisht kontrollojnë të dyja dhomat, por Partia Demokratike është në përpjekje të përfitojë nga pakënaqësia e disa votuesve për të fituar shumicën në Kongresin Amerikan.
Nëse demokratët fitojnë shumicën në ndonjërën prej shtëpive legjislative, aftësia tashmë e komplikuar e presidentit Donald Trump për të zbatuar politikat e tij do të ballafaqohet me pengesa të mëtejshme, pasi demokratët e kundërshtojnë atë në mënyrë të njëtrajtshme në të gjitha qëllimet e tij, duke filluar nga emigracioni, e deri te përpjekjet për të eliminuar ligjin universal të kujdesit shëndetësor në SHBA.
Krahas Kongresit, votuesit do të votojnë edhe për guvernatorët e 36 shteteve.