Mustafa Melih Ahıshalı
04 Janar 2017•Përditësim: 05 Janar 2017
TEHERAN (AA) - Ajetullah Sejjid Mustafa Muhakkık Damad, Profesor në Fakultetin e Drejtësisë pranë Universitetit Beheshti në Teheran ka thënë se vlerat morale në Iran janë dobësuar dhe se kjo ka çuar në uljen e mëshirës në shoqëri, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një lajmi të agjencisë së lajmeve ILNA, Damad këto deklarata i ka bërë gjatë një fjalimi në një konferencë të zhvilluar në Teheran ku është diskutuar mënjanimi i dhunës ndaj grave.
"Jemi robërit e Allahut i cili është mëshirues, por kjo mëshirë nuk ka ndikuar fare në veprimet tona. Kjo mungesë mëshire dhe humanizmi nuk ka qenë vetëm ndaj grave, por edhe ndaj meshkujve", ka thënë Damad në fjalën e tij.
"Duhet të shpëtojmë moralin"
Duke vënë në dukje se objektiv i fesë është morali, Damad në vijim të fjalës së tij ka shtuar: "Si një klerik më vjen turp nga mos përhapja e moralit në shoqëri. Objektivi i fesë është morali. Ne nuk mundëm ta shpjegojmë këtë gjë. Të gjitha institucionet arsimore duhet të bashkohen në këtë gjë dhe duhet të shpëtojmë moralin."
Ajetullah Damad ka vënë në dukje gjithashtu se dhuna ndaj grave është një çështje e të drejtave të njeriut dhe në vijim ka shtuar: "Shoqëria dhe drejtuesit tanë duhet të pranojnë me sinqeritet të drejtat e njeriut. Pa këtë nuk mund të shkojmë asgjëkund."
Duke nënvizuar ndarjet e shumta me themel dhunën, Damad në vijim ka thënë: "Familja nuk mund të mbrohet me ligj. Vlerat e familjes janë shumë më të larta. Ajo që mund të mbrojë familjen është dashuria dhe mëshira."
Statistikat në Iran tregojnë se numri i divorceve është gjithnjë e në rritje për shkak të problemeve të ndryshme në shoqëri. Vetëm në 7 muajt e fundit 44.205 gra kanë aplikuar për divorc në gjykata për shkak të dhunës. Ndërkohë 1.350 burra kanë aplikuar për divorc për shkak të dhunës së ushtruar gjatë kësaj periudhe.