Talha Yavuz
08 Prill 2021•Përditësim: 08 Prill 2021
Një ushtar ukrainas ka humbur jetën si rezultat i zjarrit të hapur nga separatistët pro-rusë në rajonin Donbas në lindje të Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Forcat e Armatosura të Ukrainës thuhet se separatistët pro-rusë që nga mesnata e deri në orën 07:00 sipas kohës lokale kanë shkelur 5 herë armëpushimin.
Më tej thuhet se si pasojë e zjarrit të hapur nga separatistët në rajonet Peski dhe Vodyanoye të Donbasit ka humbur jetën një ushtar ukrainas.
Tensionet në kufirin Ukrainë-Rusi
Shefi i Shtabit të Ukrainës, Ruslan Khomchak, në një fjalim të mbajtur në Parlament më 30 mars deklaroi se Rusia me arsyetimin e stërvitjes ka kryer transferime ushtarake në afërsi të kufijve të Ukrainës.
Lidhur me zgjidhjen e krizës në rajonin Donbas, Grupi i Kontaktit Trepalësh i përbërë nga Rusia, Ukraina dhe OSBE-ja mori vendimin për një armëpushim gjithëpërfshirës që nga 27 korriku 2020.
Në konfliktet që vazhdojnë që nga viti 2014 mes qeverisë së Kievit dhe separatistëve pro-rusë të cilët kanë shpallur në rajon të ashtuquajturën pavarësi, kanë humbur jetën mbi 13 mijë persona.