Furkan Naci Top,Mehmet Hatipoğlu
16 Nëntor 2016•Përditësim: 16 Nëntor 2016
ATHINË (AA) – Presidenti amerikan në largim, Barack Obama, të martën është takuar në Athinë me kryeministrin grek, Alexis Tsipras, duke theksuar me këtë rast se Greqia duhet të vazhdojë me reformat e filluara. Ai ka shtuar se qytetarët e këtij vendi mesdhetar duhet të ndjejnë përparimin ekonomik edhe në jetën e përditshme, raporton Anadolu Agency (AA).
"Masat e kursimit nuk do të duhet të shikohen si e vetmja strategji. Populli grek duhet në jetën e tyre të shoh dhe të ndjejë përmirësim”, tha Obama në konferencën për mediat pas takimit të sotëm.
Ai po ashtu theksoi se është shumë me rëndësi që Fondi Monetar Ndërkombëtar ta zbus borxhin e Greqisë. “Do të vazhdoj edhe më tej të apeloj tek kreditorët që të ndërmarrin hapa të nevojshëm për të ndihmuar Athinë në rrugën drejt rimëkëmbjes ekonomike”, theksoi Obama, duke shtuar se Greqia ka përmbushur detyrat e nevojshme lidhur me reformat. Ai theksoi se qytetarët e Greqisë gjatë disa viteve të fundit u përballën me shumë sfida ekonomike dhe financiare.
“Në vend të negociatave të reja gjatë gjashtë muajve të ardhshëm apo gjatë tërë vitit, të dyja palët duhet të kërkojnë mundësi për arritjen e zgjidhjes së përhershme. Ndoshta tani është koha e duhur, derisa ekonomia greke po rritet”, tha Obama.
Në lidhje me zgjedhjet presidenciale në SHBA, ai theksoi se ka qenë i befasuar me rezultatin përfundimtar. “Edhe mua më befasuan rezultatet e zgjedhjeve. Ndihem përgjegjës për të siguruar tranzicion të qetë të pushtetit. Ekziston mundësia që njerëzit dëshirojnë ndryshime, ndonëse ndoshta me siguri nuk e dinë se çfarë ato ndryshime do të sjellin”, tha Obama.
Tsipras të pranishmeve u tha se Obama deri tani ka luajtur rol shumë të rëndësishëm dhe konstruktiv në negociatat e Athinës me kreditorët ndërkombëtarë. “Presidenti Obama qeverisë sonë i ofronte mbështetje politike në momentet kritike për të arritur zgjidhje pozitive. Në këtë mënyrë morëm vendime të drejta”, tha kryeministri grek.